Kurti prezanton planin për shtensionimin në veri

Kurti prezanton planin për shtensionimin në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për shtensiomimin e situatës në veri të vendit, përfshirë zgjedhjet e reja të parakohshme në komunat në veri dhe takimin e udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë gjatë kësaj jave në Bruksel, për të cilat ka thënë se pret një përgjigje nga Brukseli.

“E para pikë në letrën time drejtuar z. Borrell pas telefonatës është sundimi i ligjit në komunat në veri të Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët. Eulexi është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin. Pika e dytë, grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga institucionet e Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal ndaj institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e Policisë së Kosovës në komunat në veri do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat. Tre, Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i do të kryjnë çdo 15 ditë vlerësime të përbahskëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

I pyetur edhe rreth propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se Rama, në vend që ta propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.

“Nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare t’ia propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është një model i duhur, model i mirë, atëherë do të duhej që këtë t’ia bënte si propozim presidentit të Serbisë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc, aq më tepër që neni 8 pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë, thotë që: republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jetojnë jashtë kufijve të saj”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button