Kurti shkruan për vendimin për targat: Partnerët ndërkombëtarë konfirmojnë se është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit

Kurti shkruan për vendimin për targat: Partnerët ndërkombëtarë konfirmojnë se është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar në Twitter për vendimin e Qeverisë së tij për për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, vendim ky që siç tha Kurti dje do të zbatohet në disa faza.

Kurti në postimin e tij në Twitter, ka thënë se këtë vendim të qeverisë të cilën e udhëheq ai, ndërkombëtarët e kanë konfirmuar se është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

“Qeveria jonë miratoi sot zbatimin gradual të politikës për targat ilegale të shpallura në qershor, për të cilën partnerët tanë ndërkombëtarë konfirmojnë se është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Vendimi i zbatimit garanton sundimin e ligjit nga njëra anë dhe paqen dhe sigurinë nga ana tjetër”, ka deklaruar Kurti në Twitter.

Por vendimi i Kurtit nuk i ka pëlqyer Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë thënë se janë të zhgënjyera me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara thanë se së bashku me faktorin ndërkombëtar kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

SHBA-ja tha se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por shtoi se “zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”.

DASH po ashtu kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, në qendër të cilës, sipas Uashingtonit, duhet të jetë njohja reciproke.

Plani i Qeverisë së Kosovës parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Kryeministri ka thënë se duke vepruar në këtë mënyrë është treguar vendosmëri për zbatimin e vendimeve dhe përkushtim e kontribut në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

LEXO EDHE:

Back to top button