Kurtua: Duam të fitojmë çdo ndeshje në shtëpi, pavarësisht kundërshtarit
Portieri i Realit të Madridit, Tibo Kurtua, ka regjistruar ndeshjen e tij numër 100 pa pësuar gol, pikërisht në ndeshjen që ndoshta ai ka pasur më shumë fat se kurrë.
Në San Sebastian, atij i ka ardhur tri herë në ndihmë shtylla, ndërkohë që dhe vetë ka bërë disa pritje në një mbrëmje delikate kundër Sosiedadit, por që është mbyllur me fitore. Jo vetëm kaq, por në një moment të takimit, belgu ka trembur tifozët për një dëmtim, por që në fund ka rezultuar veçse një alarm fals.
Pas ndeshjes ai ka komentuar fitoren e Realit të Madridit, por dhe rekordin e tij, ku në 241 ndeshje me fanellën e bardhë ka pësuar 221 gola dhe në 100 ndeshje e ka ruajtur portën të paprekur.
“Është një gjë e bukur të arrish 100 ndeshje pa pësuar. Nuk është gjithmonë e lehtë, ne jemi një ekip shumë sulmues. Kundër Sosiedadit treguam se nëse mbajmë portën e pastër, fitojmë pothuajse gjithmonë. Epo, kjo është normale (qesh)”, ka deklaruar Kurtua.
Portieri belg ka folur dhe për takimin e parë në këtë sezon në Ligën e Kampionëve kundër Shtutgartit.
“Jemi të kënaqur që do ta nisim rrugëtimin tonë në Ligën e Kampioneve në Madrid. Është gjithnjë këndshëm ta nisësh në shtëpi. Ky sezon do të jetë ndryshe prej formatit të ri. Duam të fitojmë çdo ndeshje në shtëpi, pavarësisht kundërshtarit”, tha Kurtua.