Kush do ta zbatojë vetingun?

Kush do ta zbatojë vetingun?

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deri sa disa e shohin vetingun si shpëtim nga funksionarët dhe drejtuesit e korruptuar, ka të tjerë që dyshojnë se ky proces mund të ishte i suksesshëm. Presidenti Stevo Pendarovski në intervistë në Alsat tha se përvojat e vendeve të tjera kanë dëshmuar se vetingu mund të mos sjellë rezultatet e pritura.

“Nëse njerëzit e njëjtë, ne njerëzit që jetojmë në Maqedoni, me këtë sjellje, me këtë kulturë, me këtë mentalitet, se duhet diku të lyesh, të gjejshë njeriun tënd, të japësh një ryshfet të vogël ose të madh, nëse jemi njerëzit e njëjtë, cila do të jetë cilësua e atij ventingu? Prandaj mendoj se nëse shkojmë në atë drejtim, unë jam që atë ta bëjmë nën monitorim shumë të fuqishëm të BE-së. Unë do të doja të shoh njerëz nga Brukseli këtu të cilët bashkë me ne do ta bëjnë atë veting”, u shpreh Stevo Pendarovski, President.

Po të njëjtin mendim ndan dhe Komisioni Shtetëror për Prandalimin e Korrupsionit.

“Pyetja më thelbësore është kush do ta zbatojë atë veting? Cilët njerëz? E shihni dhe vetë se erdhën amerikanët këtu. Gjeni se kush do ta zbatojë vetingun! Ligj kemi por si do të zbatohet, cili komision do ta zbatojë, ministri për Punë të Brendshme, ministri i Financave? Nga përvojat e deritanishme dhe nga procedurat unë nuk shoh se ka kapacitet që një komision të bëjë ndonjë kontroll”, tha Goran Tërpenovski, anëtar i Komisionit kundër korrupsionit.

Një ligj për veting të gjykatësve, prokurorëve, funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar ka propozuar BDI-ja në vitin 2020 dhe është e gatshme ta bëjë këtë përsëri.

Një ditë më parë, Aleanca për Shqiptarët, ngjashëm kërkoi miratimin e një sërë ligjesh dhe ndryshimesh për të luftuar korrupsionin në disa nivele dhe thotë se gjatë periudhës së ardhshme do të angazhohet për zbatimin e tyre. Në mesin e tyre, ligj për veting të gjykatësve dhe prokurorëve, ligj për themelimin e një zyre për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë kriminale, ligj për vetingun e integritetit dhe pasurisë së personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, etj.

Partitë e tjera për momentin nuk komentojnë kërkesat e Aleancës për Shqiptarët duke shtuar se duhet t’i shohin ata në formën e iniciativave konkrete./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button