Kush ishte Burbuqe Berisha? Regjisorja që jetën e saj ia dedikoi filmave e shfaqjeve teatrale deri në frymën e fundit

Regjisorja e njohur shqiptare, Burbuqe Berisha, u nda nga jetamë 27 tetor 2021 në moshën 51-vjeçare.

Ajo ishte një regjisore, ligjëruese dhe për disa vite ka shërbyer edhe si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Duke u ndarë nga jeta në moshë të parakohshme, Berisha ka lënë të pikëlluar mbarë komunitetin artistik.

Kush ishte Burbuqe Berisha?
Burbuqe Berisha ishte e lindur më 28 maj të vitit 1970 në Prishtinë.

Ajo përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë, për të vazhduar me studimet bachelor dhe master në Fakultetin e Arteve në Universitetin “Hasan Prishtina, dega: Regji e filmit.

Krahas profesionit si regjisore, ajo ka ushtruar edhe pozitën e drejtoreshës në Teatrin Kombëtar të Kosovës për një periudhë katër vjeçare.

Ajo gjithashtu ishte edhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota” ne vitin 2017.

Prej vitesh, e njëjta ushtronte edhe profesionin e ligjërueses dhe prodekanes së Fakulteti të Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv, në kuadër të Kolegjit AAB në Prishtinë.

Burbuqe Berisha njihet si regjisore e disa prodhimeve të suksesshme kinematografike vendore.

Ka krijuar një numër të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe te gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe ne vitin 2019 është fituese e çmimit kombëtar për kinematografi .

Disa nga prodhimet e saj më të suksesshme përfshijnë: “Një tregim Prishtine”, “Ashensori”, Ëndrra”, “Drimri i shpirtit”, “Lexi në qytet” (në 10 episode), “Kosova 9/11”, “Bunari”, “Nanë”, “Viti 2000”, “Çelësi”, dhe “Gratë”.

Ndërkohë prej shfaqjeve të saj teatrale veçohen:”Bretkosa”, “Revolveri”, “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, e të tjera.

Në dhjetor të vitit 2003, filmi i saj “Kosova Eleven” fitoi një nga çmimet kryesore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër.

Ne vitin 2020, Berisha ishte e nominuar nga Theatre Award Program 2020 në LPTW Gilder/Coigney International Theatre.

Në vitin 2019 asaj iu nda çmimi “Bekim Fehmiu” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në sajë të kontributit të saj në art.

Filmi i saj “Një tregim Prishtine” është shpërblyer me çmimin Special i Medias në Konkurrimin e Filmit të Gjatë në festivalin “Dea Open Air” në Tiranë.

LEXO EDHE:

Back to top button