Kush shkelë këto rregulla të trafikut parashihet të dënohet deri në 3 vite burg, ja çfarë thonë qytetarët

Kush shkelë këto rregulla të trafikut parashihet të dënohet deri në 3 vite burg, ja çfarë thonë qytetarët

Gazetare: Ajnur Bafqari

Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit me më së paku 1,50 gram për litër në gjak, ose nën ndikimin e drogave dhe substancave të tjera narkotike, vozitja në drejtim të gabuar, vozitja mbi 70 kilometra në orë më shumë se e lejuara dhe parakalimi i një kolone automjetesh në vend të pavëshgueshëm, me propozim ndryshimet në Kodin Penal do të trajtohen si vepra penale dhe do të dënohen me dënim me burg deri në tre vjet, shkruan Alsat.

Ministria e Drejtësisë, parasheh nen të ri 403 “Drejtim i pakujdesshëm i automjetit” me të cilin kryerësit e këtyre veprave që deri më tani ishin përgjigjur vetëm për kundërvajtje, prej tani të përgjigjen si autorë të veprave penale.

YouTube video

Arsyeja e këtij propozimi, siguria në trafik.

“Për këtë vepër të re penale parashihet që kryerësi i veprës të dënohet me gjobë ose burg deri në tre vjet. Deri tani kjo vepër nuk ekzistonte në Kodin Penal, dhe veprimet e përcaktuara përmbarimore përshkruhen si kundërvajtje dhe rregullore të tjera. Në periudhën në vijim do të bëhet një analizë e detajuar e të gjitha veprave penale nga ligjet e tjera që duhet të fshihen apo modifikohen në kuadër të këtij dhe propozimeve të tjera”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Të dhënat e policisë flasin për 137 aksidente trafiku në vitin 2017 ku kanë humbur jetën 155 persona. Në vitin 2018 nga 118 aksidente jetën e kanë humbur 133 persona, ndërsa në vitin 2019 në 109 aksidente, përfshirë edhe 15 viktimat e aksidentit në fshatin Llaskarcë, jetën e kanë humbur 132 persona. Në vitin 2020 si pasojë e aksidenteve në trafik janë regjistruar 125 viktima.

Në vitin 2017 – 137 aksidente trafiku-                                           155 viktima
Në vitin 2018  -118 aksidente       –                                                133 viktima
Në vitin 2019    109 aksidente + 15 viktimat e Llaskarcës –        132 viktima
Në vitin 2020                                                                                   125 viktima

Nga MPB thonë se vozitja me shpejtësi më të madhe se e lejuara është arsyeja më e shpeshtë për aksidente me pasoja të rënda prandaj policia është e fokusuar në ndjekjen e kësaj shkeljeje. Gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar gjithësej 240 000 dënime, gjysma prej të cilave për vozitje të shpejtë.

“Për vozitje të shpejtë kemi 104 703 sanksione gjatë vitit të kaluar, poashtu kemi 24 053 sanksione për drejtim të automjetit pa leje për vozitje. Për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit janë dënuar 10 360 persona”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Qytetarët e mirëpresin këto propozim ndryshime.

“Mendoj se është në rregull dhe e nevojshme, pasiqë kur je prapa timonit nuk duhet të jesh nën asnjë lloj ndikimi”, thotë një qytetar.

“Plot ka, plot ka, nuk shohin ndonjëherë aspak në semaforë….Në rregull është përse të mbysin njerëz, madje duhet ta bëjnë urgjentisht….”, thotë një qytetar tjetër.

Por ka edhe qytetarë që vlerësojnë se ky është një dënim i lartë.

“Sipas meje kjo është shumë, tre vite janë shumë, ndonjë dënim më të lehtë është në rregull, por tre vite për vozitje të shpejtë, kjo është katastrofë. Secilit i ndodh kjo”, tha një qytetar.

Propozim ndryshimet do të jenë lëndë për diskutim, ndërsa ligji pritet të miratohet deri në fund të këtij viti. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button