Kushtetuesja brenda 30 ditëve do të dalë me vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë. Seanca nisi mëngjesin e sotëm me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit. Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës Taulant Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike e kushdo tjetër duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa menjëherë pas tij, Bledar Dervishaj u tha gazetarëve se Presidenti, Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button