Kuvend, dramë për besimin e Qeverisë
Përgatiti: Fatlume Dervishi
Dita e enjte përfundoi me mbylljen e seancës 53 në të cilën duhej të ishte diskutuar për pyetjen e besimit të Qeverisë.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi pasi kishte lëshuar seancën plot 12 orë më herët, u rikthye për të konstatuar se nuk u votua mosbesimi i Qeverisë, shkruan Alsat.
“Qeverisë nuk ju votua mosbesimi dhe në bazë të kësaj, Qeveria vazhdon me përbërje të plotë dhe me detyrat që i ka. Konstatoj se materiali për këtë seancë është harxhuar dhe seancën e shpall të mbyllur”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit
Në këtë kohë, pak minuta para mesnate, në sallë ishin vetëm pak deputetë të LSDM-së dhe BDI-së dhe i gjithë kabineti i Qeverisë Zaev. Deputetët që do të votonin rrëzimin e Qeverisë kishin lëshuar njëherësh hapësirat e Kuvendit rreth dy orë para se seanca të mbyllej.
“Ne tani ikim dhe kaq është. Pushteti nuk ka legjitimitet dhe nuk ka as numrat në Kuvend dhe e vetmja mënyrë për t’u zgjidhur kjo krizë janë zgjedhjet e shpejta të parakohshme”, u shpreh Aleksandar Nikollovski.
Debati për pyetjen e besimit të Qeverisë nuk filloi aspak meqë deputetët që kishin firmosur nismën nuk arritën të sigurojnë kuorum sepse kishin një deputet më pak se sa që kërkohej dhe që e kishin parashikuar.
Sallën e lëshoi edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi kurse “Zhdukja” e deputetit të Besës Kastriot Rexhepi ishte kryefjala e ditës.
Nga shprehja e shqetësimit për rrëmbimin, dyshimet për mbajtjen me dhunë dhe presion si dhe paraqitja në polici si i zhdukur, ishin hapat që ndërmori partia e tij amë. Rexhepi u prononcua ndërkohë të jetë shëndoshë e mirë.
“Kryetari Bilall Kasami dhe të tjerët nuk kanë nevojë të shqetësohen për mua. Jam në vend të sigurt, jam në anën e duhur, jam me shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e vendit”, shkruajti në Facebook, Kastriot Rexhepi, deputet i Lëvizjes Besa.
“Çdo porosi përmes rrjete sociale nuk është valide. Çdo porosi të cilën ai mund ta bëjë me dhunë, mund ta bëjë i kërcënuar dhe përmes mekanizmave të cilave ne i dimë, nuk është valide”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Nisma për votimin e mosbesimit të Qeverisë erdhi pak ditë pasi u publikua fotografia e përbashkët e kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, me përfaqësues të të gjithë partive opozitare dhe të Besës, me mbishkrimin “kemi shumicë të re”./ Alsat.mk






