Kuvend, opozita bojkoton seancën e re

Kuvend, opozita bojkoton seancën e re

Gazetare: Fatlume Dervishi

Opozita mban Kuvendin natën, kurse pushteti ditën. Në seancën e re në të cilën është edhe propozimi për zbatimin e buxhetit për vitin 2022, nuk mori pjesë opozita.

Si pasojë e mungesës së kuorumit ligjvënësi nuk pati mundësi të vazhdojë punën.

“Nga shumica kishte 60 deputetë të pranishëm. Ishte e njoftuar dhe këtë e dinë edhe deputetët e opozitës se ka deputetë që kanë probleme shëndetësore dhe këtu edhe një herë vërtetohet jo vetëm josolidariteti me kolegët e tyre por edhe me popullin”, tha Sanella Shkrijel, LSDM.

Por, pamjet flasin ndryshe. Shumica nuk i kishte 60 vetë në sallë. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk dhanë sqarime pse bojkotuan seancën kur ishin angazhuar për të bojkotuar në mënyrë aktive ligje të caktuara duke qenë prezent në sallë. Madje para fillimit të seancës bënë thirrje që shumica të mbështesë propozimet e tyre që ishin në rend dite.

“Apelojmë deri te shumica parlamentare që të mbështesë këto ligje dhe të ndihmojmë të zgjidhen problemet me të cilat përballen të punësuarit në ushtri dhe në polici”, u shpreh Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

As Aleanca për Shqiptarët nuk e ndjeu për detyrë të jetë pjesë e kësaj seance.

“Nuk jemi këtu për të zëvendësuar deputetët të cilët nuk u qëndrojnë besnik votave të cilat I kanë marrë nga qytetarët. Është detyrë e shumicës parlamentare të sigurojë kuorumin ndërkaq ASH-ja është gjithmonë këtu për të mbështetur procese pozitive të cilat janë në dobi të qytetarëve. Por, jo për të mbështetur edhe sjellje destruktive dhe të pahijshme nga ana e shumicës parlamentare”, theksoi Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët.

E ndërkohë që shumica nuk pati numrat për të vijuar punën sot, opozita pothuajse e vetme në sallë kishte qenë prezente në seancën plenare mbrëmë deri në orën 3 pas mesnate, duke mbajtur radhën në foltore me qëllim bllokimin e seancës. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button