Kuvendi i Kosovës për dy herë radhazi dështoi në votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës për dy herë radhazi dështoi në votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Gazetare: Ajnur Bafqari

U miratua raporti për verifikimin e mandateve, por Kuvendi i Kosovës për dy herë radhazi dështoi në votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Për tu vendosur në ulësen e numrit një të Kuvendit, Lëvizjes Vetëvendosje i nevojiten edhe të paktën 4 vota, pasi vetëm 57 deputetë votuan “për”. Deputetët që sot morën mandatet do të mblidhen sërish të hënën, për një tentativë të re për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
Kreu PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këto dështime është konstatuar se Vetëvendosja nuk e ka shumicën parlamentare, dhe sikurse në 8 legjislaturat e kaluara, nuk mund të zgjidhet kreu i Kuvendit, nga dikush që nuk e ka pasur shumicën parlamentare.

“LVV nuk e ka shumicën parlamentare, dhe kjo është arsyeja dhe bllokada që ka ndodh deri sot, sidoqoftë, ne shpresojmë që kjo bllokadë mos të vazhdojë, sepse e vërteta është që propozimi për kryetarin e kuvendit i takon grupit parlamentar me numrin më të madh të deputetëve por kjo nuk është obligative për deputetët që ta votojnë këdo që ata e propozojnë…”, deklaroi Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së.

Faton Peci nga vetëvendosja tha se do të kenë numrat për formimin e Qeverisë dhe çështja e kryetarit të Kuvendit nuk duhet të futet në pjesën e kalkulimeve për formimin e Qeverisë. Për emrin e kandidatit për kryetar kuvendi, Peci tha se vendos vetë LVV, pa imponime nga jashtë.

“Është shumë e rëndësishme për opinionin që të dihet se ose të ritheksohet edhe njëherë se e drejta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i takon ekskluzivisht dhe vetëm grupit më të madh parlamentar”, tha Faton Peci, Vetëvendosje.

Fatmir Limaj nga Nisma, e cilësoi si hap pozitiv faktin që u bë verifikimi i mandateve, por nuk i’u përgjigj pyetjeve të gazetarëve se përse deputetët e Nismës abstenuan.

“Sot besoj se është lajm i mirë që Kosova ka parlament, tanimë Kosova ka deputetët dhe mendoj se dalë ngadalë do të gjejnë rrugë për hapat e tjerë. Kemi hyrë në fazën e konstituimit të Kuvendit dhe unë besoj se shumë shpejtë edhe këto pjesë të tjera që kanë mbetur pa përfunduar do të përfundojnë dhe mbetet që sipas ligjit dhe kushtetutës të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria ashtu siç e kërkon ligji dhe kushtetuta ”, tha Fatmir Limaj, Nisma.

Lidhja Demokratike e Kosovës nga ana tjetër paralajmëroi kallëzime penale, lidhur me ushtrimin e mandatit të kryeministrit dhe ministrave edhe përskaj dorëheqjeve të 27 marsit.

“Kjo nënkupton që komisioni për verifikim të mandateve i ka njohur si faktike dorëheqjet deklarative të kryeministrit dhe ministrave që nënkupton nga data 27 mars , kur është bërë certifikimi i zgjedhjeve, të gjithë këta që so e kanë bërë betimin, kanë bërë shkelje duke ushtruar funksionin e kryeministrit, respektivisht ministrave dhe LDK do të bëjë kallëzim penal, lidhur me ushtrimin e mandatit që këta e kanë bërë nga 27 marsi deri më sot”, tha Hykmete Bajrami, LDK.

Sot për të tretën herë me radhë deputetët vazhduan seancën konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca vazhdon të hënën. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button