Kuvendi konstatoi dorëheqjen e Zaevit, opozita e priti me duartrokitje
Gazetar: Adrian Kerimi
Konstatohet dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev dhe e Qeverisë. Opozita këtë vendim e mirëpriti me duartrokitje, shkruan Alsat.
Konstatimi u bë në seancën për pyetje deputetësh, seancë e cila nuk vazhdoi më. Sipas kreut të Kuvendit, Qeveria e dorëhequr nuk mund t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Xhaferi shpjegoi se Qeverisë së dorëhequr i pushon mandati, por mbetet në funksion.
“Ajo Qeveri të cilës i pushon mandati si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit, sipas nenit 93 të Kushtetutës është e detyruar të vazhdon teknikisht të ushtron detyrën deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Opozita akuzoi Xhaferin për shkelje të Kushtetutës. Sipas VMRO DPMNE-së gjatë mandatit të fundit pushteti ka marrë pjesë vetëm në 8 seanca për pyetje të ligjvënësve. Opozita vlerëson se pavarësisht dorëheqjes, seanca për pyetje deputetësh mund të mbahej.
“Për herë të fundit seancë për pyetje deputetësh është mbajtur më 30 korrik të këtij viti. Pesë muaj, përfshi edhe dhjetori deputetëve i është hequr e drejta për të parashtruar pyetje. Kjo Qeveri për 17 muaj vetëm 8 seanca ka pasur seanca për pyetje deputetësh dhe kjo tregon për qasjen e saj demokratike”, u shpreh Nikolla Micevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Opozita shqiptare ikjen e Zaevit nga pyetjet e deputetëve e vlerëson si shmangie nga ballafaqimi me ata që e zgjodhën kryeministër.
“Ai i cili gjithmonë thirrej në fytyrë të pastër, sot u largua pa u ballafaquar me ata që e zgjidhën në atë poshtë, deputetët, gjegjësisht të zgjedhurit e popullit”, tha Ilire Dauti, Deputete e ASH-së.
Nga sot nis rrjedhja e afateve për ndarjen e mandatit. Kandidati i cili siguron mbi 61 nënshkrime, i besohet mandati. Nga LSDM-ja tashmë disa herë kanë konfirmuar se kandidat për kryeministër do të jetë kreu i sapo zgjedhur i partisë, Dimitar Kovaçevski. Nuk dihet kur do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve, por pas besimit të mandatit, Kovaçevski do të ketë afat 20 ditor për të propozuar në Kuvend programin e Qeverisë dhe përbërjen e kabinetit. Qeveria e re LSDM-BDI-Alternativa pritet të votohet pas festave të fund vitit, përkatësisht në mesin e muajit janar. /Alsat.mk








