Kuvendi promovon Kodin etik për deputetët, por qytetarët ende nuk e dinë çfarë përmban
Kuvendi sot promovoi Kodin e ri etik për deputetët. Të pranishmit thanë se Kodi është bazë për kthimin e besimit të publikut në institucionin ligjvënës. Megjithatë, edhe përskaj këmbënguljes, përmbajtja e Kodit etik nuk është akoma publike. Opinioni nuk e din akoma çfarë përmban ai dhe si definohet sjellja etike e të përzgjedhurve të popullit. Përpilimi i Kodit u mbështet nga OSBE-ja, Ambasada zvicerane dhe Instituti Kombëtar Demokratik – NDI.
“Ky Kod para së gjithash, është një marrëveshje morale që deputetët lidhin me njëri-tjetrin dhe me qytetarët që përfaqësojnë. Meqenëse konsideroj se nuk duam që ky dokument të përfundojë në arkivat e Kuvendit pas votimit, jemi mbledhur këtu për ta trajtuar atë si një zotim të përbashkët: që interesi publik do të mbetet gjithmonë mbi interesin personal; që debati politik do të zhvillohet mbi bazën e argumentit dhe jo të fyerjes; që dallimet politike nuk do të shndërrohen në armiqësi personale; dhe se dinjiteti i Kuvendit do të mbrohet çdo ditë, me përgjegjësi dhe përkushtim.” – Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit. /Alsat.mk








