Kuvendi shfrytëzon objektin pa pronësi

Kuvendi shfrytëzon objektin pa pronësi

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kuvendi nuk posedon fletëpronësi. Konstatimet e Entit Shtetëror të Revizionit nga një revizion i vitit 2020 në shtëpinë e demokracisë nxjerrin në pah një sërë vërejtjesh, shkruan Alsat.

Ligjvënësi nuk ka vërtetim për të drejtën e pronësisë, për shfrytëzimin e tokës dhe objektit. Objekti është në pronësi të shtetit dhe nuk është bërë regjistrimi i të drejtës së pronësisë apo shfrytëzimit në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, theksojnë revizorët.

Qeveria me vendim mund t’i japë pronat në shfrytëzim të përkohshëm ose të përhershëm, me ose pa kompensim, por, sipas ligjit, është e nevojshme të regjistrohet e drejta e pronësisë ose shfrytëzimit të kësaj prone.

Revizorët kanë konstatuar se ligjvënësi u ndan shumë para deputetëve për shpenzimet e rrugës.

“Konstatuam se gjatë vitit 2020 deputetëve u janë paguar tarifa për shfrytëzimin e veturave private për qëllime zyrtare në vlerë të përgjithshme prej 12.881.000 denarë, si dhe tarifa për pikëpagesa rrugore në shumë prej 1.092.000 denarë. Kjo situatë tregon nevojën e rishikimit dhe harmonizimit të Vendimit dhe Ligjit për deputetët, sa i përket pagesës së kompensimit për shpenzimet e pikëpagesave rrugore”, thonë nga Revizioni.

Revizioni ka vënë në pah se në Kuvend nuk janë përcaktuar kritere për kualifikimet dhe kompetencat profesionale të bashkëpunëtorëve të jashtëm të cilët i angazhojnë grupet parlamentare. Gjithashtu ka vërejtje për evidencë të pjesërishme kontabiliste.

“Është e nevojshme të adoptohen politika kontabiliteti për përgatitjen, paraqitjen dhe shpalosjen e pasqyrave financiare, me qëllim që futja e të dhënave në librat e veprimtarisë të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik”, u shprehën nga Revizioni.

Kundër Kuvendit zhvillohet 26 procedura gjyqësore në të cilat paditësit kërkojnë 19 milion denarë dëmshpërblim. Paditë janë ngritur për dëm jomaterial, shkelje të së drejtave personale, shkarkimit të paligjshëm nga detyra, konflikt në punë, etj.

Revizioni thekson se nga 72 zyra për kontaktimin e deputetëve me qytetarët, 26 nuk funksionojnë dhe në shumë raste, komunat nuk kontribuojnë që të krijohen kushte për shfrytëzimin e këtyre zyrave./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button