Ky është arsyetimi i gjykatës pas lirimit të Kamçev nga paraburgimi

Ky është arsyetimi i gjykatës pas lirimit të Kamçev nga paraburgimi

Gazetar: Igor Stefanovski

Garancia prej rreth 11 milionë eurove që biznesmeni Orce Kamçev e ka ofruar për t’u mbrojtur në liri, ka mjaftuar që Gjykata e Apelit të vendosë për ndërprerjen e paraburgimit, shkruan Alsat.

Kështu thuhet në arsyetimin e gjykatës, vendim i nënshkruar nga tre gjykatësit Lirie Elezi Ajrullau, Zoran Dimitrievski dhe Enver Bexheti. Kjo përbërje e gjykatësve vendosi se shuma me të cilën Kamçev garanton se nuk do të arratiset është e mjaftueshme.

“Garancia e ofruar dhe e pranuar, e cila konsiston në marrjen e parave të gatshme, letrave me vlerë dhe hipotekimin e pasurisë së patundshme siç qëndron në këtë vendim, është shumë e mjaftueshme dhe reale që do të siguronte praninë e të akuzuarit gjatë procedimit penal respektivisht se kjo garanci do të mjaftojë për ta parandaluar arratisjen e të akuzuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Alsat tashmë publikoi se me çfarë prone Kamçevi garanton se nuk do të arratiset. Bëhet fjalë për kompanitë “Orka Hollding”, “Pellagonia”, “SH.A Manastiri”, “Stopanska Banka” si dhe para të gatshme 200 mijë euro. Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit përmenden edhe prona të tjera në Manastir, Dellçevë, Nerez, Demir Hisar dhe Ilinden, që janë në pronësi të kompanisë Kara SHPKNJP Shkup, që është pjesë e “Orka Hollding” në pronësi të familjes Kamçev.

Edhe pse biznesmeni u lirua nga burgu i Shutkës, ai vazhdon të ketë  kufizime. Atij nuk i lejohet të largohet nga Shkupi dhe çdo të hënë duhet të paraqitet në gjykatë. Gjithashtu nuk mund të marrë pasaportë të re dhe me letërnjoftim nuk mund të largohet nga Maqedonia në vende si Shqipëria, Kosova dhe Serbia, ku mund të udhëtojë me atë dokument.

Kamçevit iu shqiptua paraburgimi në muajin mars të vitit të kaluar pas një shënimi zyrtar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare mbi rrezikun e arratisjes, diçka që avokatët e tij e kanë mohuar. Ai gjykohet për pastrim parash në rastin “Parcelat në Vodno”. Kamçev njihet edhe për zbulimin e aferës “Reket”, pas së cilës në burg përfunduan kryetarja e PSP-së Katica Janeva dhe “shoumeni” Bojan Jovanovski./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button