Lajçak paralajmëron ndryshimin e Kushtetutës, Qeveria e Kosovës hesht

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar në Beograd se në të gjitha takimet që ka pasur në Prishtinë, i është thënë se Kosova do të implementojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak ka përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është ‘Bibël’.

“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”, ka thënë Lajçak në Beograd me 15 tetor.

“Për këtë askush nuk më tha që kjo është e pamundur. Do të thotë, Kushtetuta nuk është Bibël dhe nëse merrem vesh për çështje serioze, normale është, ajo do të duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, shtoi ai.

Lajçaku e vizitoj Beogradin pas takimeve dy ditore në Prishtinë.
Kjo deklaratë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, mirëpo jo edhe reagimin e Qeverisë së Kosovës. Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një qëndrim nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti, por të njëjtit nuk kanë komentuar lidhur me këtë çështje ose sa i përket deklarimit të Lajçakut se ‘askush nga bashkëbiseduesit e tij (në Prishtinë) nuk tha që ata nuk do të përmbushnin detyrimet e tyre.’

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se Asociacioni është temë që nuk hapet më, por pas takimit me Lajçakun ka thënë se “Asociacioni nuk do të themelohet pa u arritur marrëveshja finale”.
Time Kadriaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë dhe e paprekshme.

Sipas saj, është Serbia ajo duhet ta ndryshojë Kushtetutën e vet dhe duhet të kërkojë falje për të gjitha krimet që i ka shkaktuar popullit të Kosovës.

“Ky është një gabim i madh i Lajçakut, sepse këto deklarata ai është dashur t’i japë në Kosovë. Formimi i Asociacionit duhet të bëhet sipas verdiktit që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, e cila në atë marrëveshje ka gjetur plot 23 nene që nuk janë në harmoni me Gjykatën Kushtetuese. Lajçak nuk ka të drejtë të kërkojë që Kosova të bëjë kompromise të tjera në procesin e dialogut”, tha Kadriaj.

Kurse, në partinë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, thonë se në takimin me Lajçakun, është diskutuar për procesin e dialogut, por jo edhe për Asociacionin.

Zëdhënësi për media i kësaj partie, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015, që e ka bërë projekt të pamundur në Republikën e Kosovës, kjo temë duhet të jetë e mbyllur për të gjithë.

LEXO EDHE:

Back to top button