Lajçak: Po punojnë që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet brenda javësh

Lajçak: Po punojnë që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet brenda javësh

I dërguari i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha para gazetarëve se janë duke punuar që takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.

“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi [Kurti-Vuçiq] do të jetë i përgatitur mirë dhe besojmë se nuk më ka kohë për të humbur”, tha ai.

Këto deklarata Lajçak i bëri pas takimit që pati në Prishtinë me Kurtin, ku tha se është diskutuar edhe për çështjet aktuale, veçanërisht situatën në veri pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Në nëntor, serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës (institucionet e drejtësisë, policia, niveli lokal, por edhe nga Qeveria dhe Kuvendi) në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave serbe.

Por, ndërkohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për çështjen e targave, por jo edhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të mbahen më 18 dhjetor. Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Lajçak tha se në takim me Kurtin është folur edhe për çështjen e energjisë.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Kjo marrëveshje nuk ishte zbatuar konform afateve të rëna dakord në qershor, ku kompania serbe, Elektrosever, nuk i kishte plotësuar kushtet që përcaktoheshin në Udhërrëfyes.

Në tetor, BE-ja njoftoi se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe, Elektrosever, në Mitrovicën e Veriut, kanë arritur marrëveshje teknike për zbatimin e këtij Udhërrëfyesi .

BE: KOSTT dhe Elektrosever arrijnë marrëveshje për rrymën në veri
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar te KOSTT-i të dhënat e konsumatorëve në veri, ashtu siç parashihet.

Emisari evropian tha po ashtu se në takim është diskutuar edhe për personat e zhdukur, që siç tha janë “një fjali larg” finalizimit të tekstit të marrëveshjes për këtë çështje.

Kurti, që është bartës i dialogut politik, ka deklaruar më herët se Serbia nuk ka pasur gatishmëri në rundin e 18 gushtit, që të nënshkruajë “dokumentin e dakorduar” për çështjen e të pagjeturve.
Ai ka thënë se mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket marrëveshjes, kanë të bëjnë me tekstin e saj. Kosova kërkon që të përdoret termi “zhdukje me dhunë”, ndërkaq Serbia kërkon përdorimin e termit “persona të zhdukur”.

Nga lufta e fundit në Kosovë më 1998/99, 1.617 persona ende konsiderohen të zhdukur. Shumica e tyre janë shqiptarë.

Vlerësohet se mbi 13.000 persona janë vrarë në luftën e fundit dhe mbi 6.000 ishin zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi.

Zyrtari i lartë i BE-së qëndroi në Prishtinë, më 6 dhjetor, një ditë pasi në Beograd takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak tha se me Vuçiqin diskutoi për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera, përfshirë edhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti serb tha se me të dërguarin e bllokut foli për dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja, por edhe për problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /REL

LEXO EDHE:

Back to top button