Lajçak: Prishtina e Beogradi të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë
Lajçak: Prishtina e Beogradi të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë, pasi, siç tha, një gjë e tillë është në interesin e të gjithëve. Ndërkaq, Bislimi, fajësoi Serbinë për refuzimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes. Përmes një njoftimi për media ai tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë do të ishte garanci për pranimin dhe zbatimin e saj. Nga ana tjetër, Lajçak tha se në takimin e sotëm në Prishtinë, u diskutua edhe për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb. Lajçak paralajmëroi një takim të ri të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel “në ditët në vijim”. Ai tha se më 27 shkurt në Bruksel, në nivel ekspertësh u diskutua për çështjen e dinarit, por disa aspekte rregulloresh është dashur të diskutohen me Bislimin.
“Ne trajtuam një sërë çështjesh, dy më të rëndësishmet kanë të bëjnë me marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, që është një arritje shumë e rëndësishme e dialogut. Dokumenti, i cili është ligjërisht i detyrueshëm në tërësinë e tij, por ka kaluar një vit që kur e miratuam këtë dokument dhe ne do të dëshironim të shohim përparim më të madh në zbatimin e tij dhe kjo ishte një nga çështjet që diskutuam se si të fillojmë zbatimin e shpejtë të kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Unë jam shumë i sigurt për këtë, nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë do të ishte propozuar tashmë. Prandaj është në interesin e të gjithëve që të fillojmë me zbatimin”, deklaroi Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së. /Alsat.mk