Gazetare: Xhesika Sallahi
26 vjet nga rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij. Në Kuvendin e Kosovës u mbajt seancë solemne për nderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri. Deputetët nderuan, sakrificën e familjes heroike të Jasharajve, e cila i solli lirinë Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj, tha se familja e Adem Jasharit u shndërrua në gardian të përhershëm të Kosovës.
“Marsi është muaji i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri, një muaj kur shpirti i pa epur i Adem Jasharit dhe UÇK-së i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviq. Kryengritësi ynë, Adem Jashari ra në altarin e lirisë bashkërisht me anëtarët e familjes së tij, duke u shndërruar kështu në gardian të përhershëm të Kosovës, në gardian të përhershëm të lirisë sonë të larë me gjak. Sot shteti i Kosovës qëndron pikërisht mbi supet e heronjve tanë, guximi dhe sakrifica e të cilëve e ka formësuar fatin e republikës sonë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova është çliruar nëpërmjet trashëgimisë që e prodhoi figura e Adem Jashari.
“Epopeja e UÇK-së, përkatësisht historia e luftës së armatosur të Adem Jasharit, së familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë atyre që ecën bashkë me ta dhe pas tyre në rrugën e çlirimit përmbledhin një trashëgimi të madhe politike, kulturore dhe kombëtare nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilën është ndërtuar vet shteti i saj. Kosova është çliruar prej Serbisë okupatore pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit. E në këtë histori të çlirimit dhe të shtet ndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe. Liria ishte kushti i jetës që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës
Në Kuvendin e Kosovës gjithashtu, interpretuan këngëtarët Ilir Shaqiri me këngën “Sërish vjen marsi” dhe Shkurte Fejza me këngën “Mora fjalë”.
Sulmi i forcave serbe në datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 mori jetën e 55 njerëzve në Prekaz, 22 prej të cilëve familjarë të Adem Jasharit. Sulmit i mbijetuan vetëm dy nga familjarët e ngushtë të heroit. Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prekaz ku u bënë homazhe nga politikanë dhe qytetarë. /Alsat.mk








