Lamtumirë 2020! Festë e shfrenuar në Wuhan

Ndërsa miliona vetë në të gjithë botën nuk mundën të festonin siç do të kishin dëshiruar ardhjen e Vitit të Ri 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit, në Wuhan, aty ku gjithçka nisi, duket se bashkë me 2020-n, lamtumira iu dha një herë e mirë edhe Covid-19.

- Advertisment -

Në fotografitë e publikuara nga Reuters, të cilat me siguri do të ngjallin zilinë e mbarë botës, banorët e qytetit ku koronavirusi u pikas për herë të parë festuan mbërritjen e 2021-shit me me muzikë live, e turma të ngjeshura nëpër rrugët e qytetit.

Festa u mbajt 12 muaj pasi koronavirusi futi në izolim total qytetin me 11 milionë banorë, për t’u shfaqur e përhapur më pas në të gjithë globin, duke e bërë vitin 2020, një ndër më të zymtit në historinë e njerëzimit.

Në Wuhan nuk raportohet asnjë rast i ri prej 10 majit, pasi qyteti iu nënshtrua masave izoluese ndër më të rreptat në botë. Në 23 janar autoritetet praktikisht e shkëputën Wuhanin nga pjesa tjetër e Kinës, duke bllokuar udhëtimet direkte ajrore, hekurudhore dhe automobilistike.

Sipas raportimeve të autoriteteve, nga 4634 vdekje prej koronavirusit në Kinë, 3900 janë vetëm në Wuhan. Izolimi total zgjati 76 ditë, duke mbaruar në prill, ndërkohë që pjesa tjetër e botës po përjetonte muajt më të zymtë.

Pavarësisht akuzave për manipulim të shifrave, ekspertë të ndryshëm mendojnë se rastet dhe vdekshmëria në Kinë kanë mbetur në nivele të ulëta edhe sepse vetë kinezët i marrin më shumë seriozisht sëmundjet respiratore, por edhe sepse qeveria komuniste i lejon vetes të kufizojë liritë e individëve në nivele që në Perëndim do të ishin të pakonceputeshme.

 

LEXO EDHE:

Back to top button