Lara Kolturi zhgënjen në sllallomin e Kurshevelit

Është mbyllur me zhgënjim dhe para kohe gara e Lara Kolturit në sllallomin e Kurshevelit në Francë, ndalesa e 11-të e Kupës së Botës në ski alpine.

19-vjeçarja kuqezi u skualifikua nga gara pas një gabimi në zbritjen e parë, duke humbur kështu pjesëmarrjen në lësh8min e dytë. Pas tre podumeve sezonale në sllallom, pritshmëritë për një tjetër rezultat pozitiv nga Kolturi ishin të larta, por skiatorja nuk ia doli këtë herë.

Një gabim teknik në gjysmën e dytë të xhiros bëri që ajo të humbiste linjën ideale dhe të mos arrinte ta përfundonte garën, duke mbetur jashtë kualifikimit për xhiron e dytë, finalen e kësaj Kupe Bote. Pas përfundimit të garës, në një prononcim për “RTSH”, Lara shprehu keqardhjen për gabimin e bërë, por njëkohësisht u shfaq e vendosur për të vazhduar përpara. Skiatorja theksoi se ndihej mirë fizikisht dhe ishte përgatitur maksimalisht për këtë garë.

“Më vjen keq që nuk arrita të kualifikohesha. Për fat të keq, gabimet ndodhin. Po ecja mirë, por e tillë është gara, ka gjithmonë të papritura. Jam e zhgënjyer sepse isha përgatitur shumë mirë, por tani duhet të fokusohem te gara e radhës”, u shpreh Kolturi.

Më pas skiatorja që garon për Shqipërinë shtoi se përpiqet të mbetet gjithmonë pozitive dhe se ky episod nuk do ta ndalë në rrugëtimin e saj në Kupën e Botës.

“Gabimet janë pjesë e sportit. Nuk ishte faji i pistës, ndihesha shumë mirë dhe e di që kam punuar fort. Pres me padurim garën e ardhshme, ku do të jap maksimumin”, deklaroi ndër të tjera Lara Kolturi pas ditës “jo” në garën me drita që u mbajt dje në Kurshevel.

LEXO EDHE:

Back to top button