Lavrov, akuzoi Perëndimin se përzihet në zgjedhjen e partnerëve të Serbisë

Gazetar: Luka Andreev
Pas përpjekjes së dështuar për të zbarkuar në Beograd, Ministri i Jashtëm rus Lavrov, akuzoi Perëndimin se përzihet në zgjedhjen e partnerëve të Serbisë. Lavrov e vlerësoi si një skandal të paprecedentë ndalimin e fluturimeve mbi qiejt e Maqedonisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Për shkak të këtij vendimi, dështoi vizita e tij e paralajmëruar në Serbi.
“Një shteti sovran i hiqet e drejta për të bërë politikë të jashtme. Kjo është cinike”, deklaroi Sergei Lavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë
Kritika ka ardhur edhe nga Kremlini. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov tha se mbyllja e hapësirës ajrore ishte një akt armiqësor. Autoritetet në vend bëjnë të ditur se kërkesa ruse për fluturim special është refuzuar, për shkak të vendimit të Qeverisë, i cili është në fuqi nga 27 shkurti, për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë.
“Ne jemi anëtare të NATO-s, që do të thotë se vendimet e marra në NATO janë edhe vendimet tona, dhe ne kemi një politikë të jashtme plotësisht të harmonizuar me politikën e Bashkimit Evropian. Pra, sa i përket fluturimit specifik, nuk ka asnjë trajtim tjetër, sa i përket vendimit që tashmë është marrë, i cili është në fuqi dhe që mbetet në fuqi“, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Sipas mediave serbe, në një takim me ambasadorin rus, presidenti serb Vuçiq ka shprehur pakënaqësinë për vendimin e vendeve fqinje. Gjatë takimit, protestuesit në Beograd falënderuan Shkupin, Sofjen dhe Podgoricën, të cilat, siç thanë ata, e shpëtuan Serbinë nga “turpi”. /alsat.mk