Lavrov është optimist për një kompromis në negociata

Gazetar: Lluka Andreev
“Nuk kam asnjë dyshim se do të gjendet një zgjidhje,” tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, në një intervistë përpara raundit të dytë të bisedimeve Kiev-Moskë. Ai shtoi se kushtet ruse ishin të njohura dhe “minimale”, shkruan Alsat.
“Ne jemi gati për negociata, por do të vazhdojmë operacionin tonë, sepse nuk mund të lejojmë ekzistencën e infrastrukturës ukrainase, që kërcënon sigurinë e Rusisë. E kam fjalën edhe për çmilitarizimin. Edhe nëse nënshkruajmë një marrëveshje paqeje, kjo pikë do të duhet të përfshihet”, deklaroi Sergei Lavrov, ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Delegacioni ukrainas ka zbarkuar pasditen e sotme në kufirin polako-bjellorus, ku pritet të takohen për herë të dytë.
Derisa rusët thonë se do të dalin me axhendë të plotë, David Arahamija, anëtari i delegacionit ukrainas, shkroi në Facebook se çështja e korridoreve humanitare do të ngrihej fillimisht në tryezë, ndërsa vazhdimi i negociatave do të varej nga rrethanat. Kërkesat e Ukrainës deri më tani kanë qenë një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave ruse.
Ndryshe, sot në mëngjes presidenti francez Emanuel Makron pati një tjetër bisedë telefonike me kolegët e tij Putin dhe Zelensky. Sipas Kremlinit, Putin ka thënë se qëllimet e operacionit ushtarak rus, çmilitarizimi dhe statusi neutral i Ukrainës, do të arrihen.
Në njoftim thuhet se Putini i kishte bërë thirrje Makronit të merrte pjesë në evakuimin e sigurt të të huajve në territorin ukrainas. Nga Pallati i Elisesë nuk njoftuan për përmbajtjen e bisedimeve me presidentin rus dhe ukrainas, por thanë se biseda me Putinin ka zgjatur një orë e gjysmë. Ndërkohë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Borrell bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës, dhe krijimin e menjëhershëm të korridoreve humanitare./Alsat.mk