Lehtësimi i masave kundër koronavirusit mund të sjellë fluks të migrantëve

Lehtësimi i masave që kanë të bëjnë me pandeminë e koronavirusit, ka rritur frikën e një fluksi të mundshëm të migrantëve, të cilët, sipas ekspertit për çështje të sigurisë, Lubomir Gjurçevski, mund të shfrytëzojnë lëvizjen e madhe të njerëzve dhe mallrave për të hyrë në Maqedoninë e Veriut.
Kjo, sipas tij paraqet rrezik jo vetëm për paraqitjen e ndonjë varianti të ri të koronavirusit, por edhe për çështje tjera lidhur me akte të ndryshme kriminale.
“Rreziku është i madh. Kemi lëvizje të shumta të njerëzve e mallrave, kemi lëvizje edhe të emigrantëve që vijnë nga vende me rrezik të lartë. Pra, jemi të ekspozuar para rreziqeve. Kjo do të hap rrugën e kalimeve ilegale, kemi nga shumë vende aziatike dhe afrikane. Me lehtësimin e lëvizjes, shumë lehtë ata mund të depërtojnë në vend përmes transporteve të ndryshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lubomir Gjurçevski, ish zyrtar i lartë në Byronë e Sigurisë Publike.
Para dy javësh, Ministria e Punëve të Brendshme kishte ndaluar një shtetas nga një fshat i Shkupit me 13 migrantët ilegalë, kundër të cilit është ngritur padi penale për trafikim me qenie njerëzore. Por, pavarësisht kësaj, nga Ministria e Punëve të Brendshme, thonë se gjendja është nën kontroll.
“Nëse bëjmë një krahasim të periudhës katër mujore të këtij viti, me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi ulje për 17 për qind të tentimeve për hyrje ilegale në Maqedoninë e Veriut. Kjo është si rezultat i punës efikase të MPB-së në parandalimin e kalimeve ilegale dhe masave të tjera për të parandaluar akte të tilla”, thotë zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
Por, Lubomir Gjurçevski thotë se masat janë kundërthënëse.
“Institucionet janë shumë kundërthënëse në vendimet e tyre. Në njërën anë kemi vendim të Kuvendit për vazhdimin e gjendjes së krizës në pjesën jugore të vendit edhe për gjashtë muaj, kurse në anën tjetër kemi lehtësim të të gjitha masave për mbrojtje nga pandemia. Janë vendime që nuk korrespodojnë mes veti. Ne nuk guxojmë të jemi kaq shumë liberal, duke e ditur se Maqedonia gjendet në një udhëkryq, dhe se përmes saj kalojnë emigrantë, grupe kriminale e transporte të ndryshme”, thotë Gjurçevski.