BESA: BDI-së dhe ASH-së iu pengon gjuha shqipe
BESA: BDI-së dhe ASH-së iu pengon gjuha shqipe

Gazetar: Adrian Kerimi
Lëvizja Besa vlerëson se BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët u pengon heqja e 20% nga Kushtetuta, respektivisht u pengon gjuha shqipe. Sipas partisë opozitare shqiptare, dyja subjektet shqiptare në Qeveri kanë hequr dorë nga mbrojtja e çdo vlere kombëtare.
“Për BDI kush e kërkon gjuhën shqipe në Kushtetutë është pro Rusisë, e për Aleancën për Shqiptarët heqja e 20% pengon anëtarësimin e vendit në BE. Ajo pak BDI sa ka mbetur e mbajtur me këmbë qelqi nga ato pak funksionar të ASH-së duket qartë se kanë devijuar nga mbrojtja e vlerave kombëtare”, thonë nga Lëvizja Besa.
Nga partia e Bilall Kasamit thonë se arsyetimet e pushtetit nuk mbajnë, por akuzojnë se nga gjuha shqipe kanë hequr dorë si pasojë e interesave personale.
“Të thuash se BE është kundër gjuhës shqipe është qasja më antievropiane. Të thuash se të mbrosh gjuhën shqipe je me Rusinë dhe kundër BE-së është ndoshta “çmenduria” më e madhe e pushtetit që përveç tenderëve dhe interesave personale nuk kanë asnjë vizion tjetër”, njoftojnë nga Lëvizja Besa.
Aleanca për Shqiptarët dhe BDI nuk kishin reagim ndaj akuzave të Lëvizjes Besa. Çështja e 20% u aktualizua ditë më parë, kur në Komisionin për Çështje Kushtetuese në Kuvend u shqyrtuan draft-amendamentet për qasje në ndryshimet Kushtetuese. Opozita shqiptare kushtëzon mbështetjen me heqjen e përcaktimit 20% nga Amendamenti 5 i aktit më të lartë juridik dhe zëvendësimin e tij me gjuhën shqipe. BDI thotë se ky veprim i jep alibi VMRO-DPMNE-së për të mos i mbështet ndryshimet, ndërsa Aleanca për Shqiptarët thotë se do ta kërkojnë largimin e 20% me mjete demokratike por jo përmes kushtëzimit në kurriz të perspektivës Evropiane. Shumica për momentin nuk i ka 80 vota për ta hapur kushtetutën, akt ky për të cilin Kuvendi do të voton më 18 gusht. /Alsat.mk