Banorë të Sllupçanit kanë shkatërruar trafostacionet dhe kanë lënë një pjesë të madhe të rajonit të Likovës pa rrymë

Banorë të Sllupçanit kanë shkatërruar trafostacionet dhe kanë lënë një pjesë të madhe të rajonit të Likovës pa rrymë

Pas bllokadës së plotë të sotme për të mos lejuar sërish ekipet e Elektrodistribuimit të punojnë, banorët e Sllupçanit shkatërruan trafostacionet e furnizimit me energji elektrike dhe shkaktuan defekt të shkallës më të lartë, që la pa energji elektrike banorët e fshatit dhe më gjerë, njoftojnë nga EVN.

„Fshati kumanovar Sllupçani dhe fshatrat tjera përreth Orizare, Vaksincë, Aleshevcë, Runicë, Izvor dhe Bellanovce akoma përballen me ndërprerje të furnizimit për shkak të defektit serioz“, konfirmuan nga EVN Maqedoni.

Kjo është hera e dytë që një defekt i kësaj shkalle në Sllupçan shkakton ndërprerje të furnizimit me energji elektrike edhe në fshatrat përreth. Rreth 3 javë më parë, persona të caktuar tentuan të rikthejnë furnizimin e fshatit pa sukses, kur në mënyrë të paligjshme hynë dhe manipuluan një objekt energjetik të tensionit të mesëm. Kjo rezultoi me defekt që përveç Sllupçanit, la pa energji elektrike edhe fshatra të tjera.

“Defekti në furnizimin me energji elektrike në fshatin Sllupçan është rezultat i shfrytëzimit të vazhdueshëm të paligjshëm të energjisë elektrike. Fatkeqësisht, disa nga fshatrat e Likovës janë gjithashtu të prekura nga i njeti dhe po përballen me ndërprerje të furnizimit.

Ekipet e Elektrodistribuimit gjatë kryerjes së aktiviteteve të rregullta të punës apo riparimit të defekteve në këtë fshat, shpesh përballen me sulme verbale dhe fizike. E njëjta gjë ndodhi edhe sot.

Përderisa nuk garantohet siguria e punëtorëve të Elektrodistribuimit dhe të krijohen kushte normale për punë, nuk do të kryejmë aktivitete të rregullta të punës apo të punojmë në mënjanimin e defekteve”, njofton EVN Maqedoni.

Sot, edhe pas disa javësh, Elektrodistribuimi sërish nuk pati sukses të fillojë projektin e rikonstruimit në Sllupçan. Vendasit vazhduan të pengonin ekipet e punës dhe të bllokonin fshatin.

Sipas kërkesës së dorëzuar në EVN, banorët e Sllupçanit insistojnë që t’u falen të gjitha borxhet e mëparshme të cilat arrijnë në disa mijëra euro, kërkojnë të marrin lidhje të reja falas, kërkojnë që pavarësisht se sa shpenzojnë në të ardhmen të mos u faturohet mbi 3000 denarë, objektet fetare të lirohen nga pagesa dhe kërkesa të tjera të ngjashme që janë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

LEXO EDHE:

Back to top button