Librat digjital, “lum” kritikash në opinion

Paralajmërimi i Ministres Carovska për libra digjital nga viti i ardhshëm shkollor, hasi në reagime të shumta. Shoqata e arsimtarëve shqiptarë i vlerëson si katastrofale ndryshimet e paralajmëruara në ligjin për tekstet shkollore. Thonë se mënyra digjitale e të mësuarit nuk i përshtatet kushteve me të cilat për momentin mësojnë nxënësit.

Para dy viteve ministria na e tërhoqi vërejtjen që nxënësve mos t’u lejojmë telefona në dorë e tash e kundërta po ndodhë, tash të punojnë në mënyrë digjitale. Nuk mundet mirë të mësohet me libra normale e jo digjitale, kur shumica e prindërve nuk kanë as kushte e as mundësi që t’ia realizon të gjitha këto. Ne kemi vende rurale ku nuk ka as rrjet e mos të flasim për kompjuter. Përmendimin tim vetëm që po e shkatërrojnë arsimin dhe jo me zhvillu. Jam kategorikisht kundër kësaj metode të zhvillimit të procesit edukativo arsimor”, tha Samet Jahiu, kryetar i SHASH.

Shkollarët e mesëm vlerësojnë se digjitalizimi është i rëndësishëm por jo atëherë kur duhet të kompensohet me librat e zakonshëm. Nga UNSHM-ja thanë se institucionet arsimore nuk duhet tu imponojnë nxënësve vetëm një formë të caktuar të të mësuarit.

Secili e ka mënyrën e vet se si mëson më mirë, dikujt i parapëlqen të lexoj gjëra në mënyrë elektronike po dikush tjetër parapëlqen të mësoj edhe të merr njohuri në formën e gjërave të printuara. Është tepër problematike kur institucionet arsimore mundohen, si tash, të imponojnë tek nxënësit vetëm një formë të caktuar”, pohoi Blendi Hodai, UNSHM.

Ndërkohë, nga organizata “Zëri i shkollarëve të mesëm” përmes një shkrimi në rrjetet sociale nuk kanë përjashtuar edhe organizimin e protestave duke shtuar se në arsim reformat janë të nevojshme por se këto të fundit janë larg një reforme. Ndryshimet e miratuara në Qeveri për ligjin për tekstet dhe materialet e tjera mësimore dhe didaktike parashikojnë që nxënësit e klasës së katërt deri në të nëntë dhe nxënësit e shkollave të mesme të kenë libra dhe materiale elektronike, ndërsa nxënësit nga klasa e parë deri në atë tretë të vazhdojnë të kenë libra të zakonshëm. Sipas ministres Carovska, familjet me gjendje të rëndë ekonomike do të kërkojnë nga shkollat ti shtypin materialet mësimore nëse fëmijët e tyre nuk kanë internet dhe pajisje elektronike.

 

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button