Lidhja Evropiane për Ndryshim formoi grup parlamentar

Lidhja Evropiane për Ndryshim formoi grup parlamentar

Gazetare: Fatlume Dervishi

Tre partitë e koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim formuan grup parlamentarë i cili ishte pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit. Grupi përbëhet nga gjashtë deputetë, tre nga grupi i Izet Mexhitit, dy deputetë të Alternativës dhe një deputet i Lëvizjes Besa. Koordinatore e grupit është caktuar Safije Shahini Sadiki, kurse zv.koordinatore Merita Koxhaxhiku.

“Formimi i grupit parlamentar do të jetë vlerë shtesë në këtë bashkëpunim. Që këtu duam qytetarëve tua japim lajmin e gazuar që bashkimi ynë po rritet dhe fuqia jonë po shtohet”, tha Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Grupit nuk i bashkohet deputeti i Alternativës Hysni Ismaili, i cili kohë më parë paralajmëroi fraksionin e Alternativës dhe pezullimin e aktiviteteve të tij brendapartiake. Kreu i partisë Afrim Gashi nuk kishte sqarim për Ismailin por tha se secili që nuk është me to, tani është më BDI-në.

“Ne u bëjmë thirrje edhe deputetëve të tjerë që dëshirojnë të na bashkohen. Jemi të hapur edhe për të tjerë deputetë. Prej tani e tutje gjithçka që ndodh në bllokun shqiptar, te deputetët, partitë politike, ose janë më opozitën shqiptare ose janë me BDI-në”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Opozita shqiptare dyshon se po përgatiten pengesa që mos t’u jepet pozita e një anëtari në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, ashtu siç parashikon ligji. I bëjnë thirrje shumicës të mos e pengojë këtë proces.

“Ne këtu e shfrytëzojmë rastin që ta ftojmë Talat Xhaferin sa më shpejt ta përmirësojë gabimin, konkursi të mbyllet, të zgjidhet kandidati i opozitës dhe t’i kontribuojë procesit për zgjedhje fer dhe demokratike. Në të kundërt do të na detyrojë t’i shfrytëzojmë të gjitha masat politike radikale për të arritur që në fund të ketë gara të barabarta”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Lidhja Evropiane për Ndryshim tashmë ka paralajmëruar që do të ketë kandidat në zgjedhjet presidenciale dhe do të garojë si koalicion në zgjedhjet parlamentare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button