Ligj i ri për sigurimin e kulturave bujqësore
Ligj i ri për sigurimin e kulturave bujqësore

Gazetare: Ajnur Bafqari
Kanë përfunduar konsultimet, është definuar modeli dhe tashmë vijon procedura e miratimit të ligjit për sigurim bujqësor, që parashikon sigurimin maksimal të kulturave bujqësore. Kështu tha numri një i bujqësisë, Lupço Nikollovski i cili pret që ky ligj të kalojë filtrat e Kuvendit dhe të shërbejë, siç tha ai, si motiv shtesë për bujqit që kur të kenë dëme të marrin dëmshpërblime dhe të vazhdojnë me prodhimtarinë.
“Në procedurë është miratimi i ligjit për sigurim bujqësor, dje i kishim konsultimet finale me ministrin e Financave, e definuam modelin, si përmes ligjit të ri që po përgatitet tashmë dy vjet, dhe tashmë është gati, hyn në procedurë në Qeveri, përmes këtij ligji mundësojmë që bujqit ta kthejnë besimin tek kompanitë, me qëllim që maksimalisht të sigurohen kulturat bujqësore”, tha Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.
Sa u përket dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shumëta të shiut që kanë prekur më shumë kultura bujqësore, e që kanë ndikuar në uljen e numrit të prodhimeve bujqësore, Nikollovski tha se sipas ligjit për mbrojtje dhe shpëtim, në këtë pjesë më së shumëti kanë përgjegjësi komunat. Ai sqaroi se përfaqësuesit e komunave, duhet të dalin në terren, të bëjnë procesverbale dhe pas miratimit të elaborateve nëpër këshillat komunal, t’i dorëzojnë tek komisioni shtetëror për dëmshpërblime.
“Kërkojmë komunat të reagojnë shpejtë me qëllim që të bëhet vlerësim i vërtetë i dëmeve, ku varësisht prej cilës ngjarje eventuale klimatike është humbur fruti, për cilindo rajon dhe kulturë bujqësore, sa më shpejtë të bëhen ato vlerësime dhe elaborate, aq më shpejtë bujqit do t’i marrin mjetet për të cilat vendos qeveria. Ato janë mjete jashtë buxhetit të ministrisë, dhe agjencisë për pagesa, ato janë mjete të ministrisë së financave dhe nuk shkurtohet nga pagesa e rregullt e mbështetjes ndaj bujqëve në pjesën e dëmeve, përkundrazi është mekanizëm shtesë dhe mjete shtesë”, deklaroi Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, përmes programit për prodhuesit e vegjël, sot ndau marrëveshjet për mbështetje të pakthyeshme financiare në formë të grantit deri në 10 mijë euro, për investime të prodhuesve bujqësorë të ushqimeve me origjinë shtazore. Marrëveshjet janë me vlerë të përgjithshme prej 8 milionë denarë. /Alsat.mk