Ligjet për Korridoret 8 dhe 10D, debat i nxehtë në Kuvend

Ligjet për Korridoret 8 dhe 10D, debat i nxehtë në Kuvend

Gazetare: Fatlume Dervishi

Debati në Komisionin për çështje Evropiane për ligjin për marrëdhënie pune nuk ishte aspak i qetë. Deputetët e VMRO-DPMNE-së vlerësojnë se me këto ndryshime ligjore që pushteti përpiqet t’i bëjë duke shkelur rregulloren e Kuvendit, shkelen të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve, me qëllim të përfitimeve individuale nga ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10D. sipas opozitës, ndryshimet ligjore parashikojnë punë 60 deri 72 orë në javë të punëtorëve ndërtimor të autostradave si dhe pamundësojnë që shteti të mund të kontrollojë punëtorët e angazhuar nga jashtë, nga aspekti i sigurisë dhe të kaluarës së tyre.

“Mbetet fakti se pas këtyre ndryshimeve të ligjeve qëndrojnë vetëm interesat biznesore të dikujt, interesa biznesore që çojnë direkt te kryeministri i pazgjedhur Kovaçevski dhe te Artan Grubi. Nënçmim i Kuvendit dhe shkatërrim i të drejtave të punëtorëve në Maqedoni. Na ktheni në mesjetë”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

“Me këtë ligj shkelen kriteret e Kopenhagës, pjesa për ekonominë. Sepse aty thuhet: ekonomi e tregut, ekonomi konkurruese, ekonomi në të cilën do të ketë zgjedhje. A ka të tillë këtu? Jo. Ka monopol. SHBA-të i kemi partner strategjik. Ama të kemi partner strategjik një firmë është shumë problematike”, tha Gordana Siljanovska Davkova, VMRO-DPMNE.

Shumica vlerëson të kundërtën. Me ndryshimet ligjore punëtorët nuk do të detyrohen të punojnë jashtë orarit 40 orë në javë, por për ta bërë këtë prej tyre do të kërkohet miratim me shkrim. Ata mohojnë akuzat për korrupsion.

“Askund në ligj nuk figuron 60 ose 72 orë. Këtë e ka shpikur VMRO-DPMNE-ja që t’i frikësojë njerëzit që duan të punojnë dhe për të cilët në ligj shumë qartë tregohet se si do të rregullohet marrëdhënia e tyre e punës. Me pajtim me shkrim do të mund të punojnë edhe jashtë orarit të punës, pikërisht edhe si deri më tani”, u shpreh Daniella Koleva, LSDM.

“Merreni me insinuata, merreni me halucinacione me të cilat thoni se hala pa filluar, dikush do të korruptohet. Nëse dikush u korruptua dhe iku nga shteti nuk do të thotë se do të korruptohen edhe të tjerët. Mundet që ai person që u korruptua me disa të tjerë që vuajnë dënime, janë mësim për këta aktualët të kenë shumë kujdes shumë më të madh që të mos kenë ashtu plane për të keqpërdorur një projekt i cili është në interes të qytetarëve”, tha Bajram Kadrija, BDI.

Herë pas herë, atmosfera ishte më e tensionuar posaçërisht meqë pesë ligjet që kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D u dorëzuan me flamur të BE-së për t’u kufizuar debati në vetëm 2 ditë për secilin prej tyre. Opozita ka dorëzuar disa amendamente por e ka të qartë se nuk do të mund të bllokojë miratimin e ligjeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button