Ligji i harmonizuar me shqipen, por Minçev i publikon vetëm në maqedonisht (Dokument)
Gazetar: Suad Bajrami
Edhe përskaj hapjes së procedurës kundërvajtje nga Inspektorati i Gjuhëve pas denoncimit të Televizionit Alsat se nuk e respekton gjuhën shqipe, ministri i Administratës, Goran Minçev vazhdon me avazin e vjetër. Nëse kolegu i tij nga ZNAM, Igor Fillkov nuk e toleron provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe nën arsyetimin se ligji nuk është i harmonizuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Minçev nuk e respekton Ligjin që rregullon procedurat e inspektimit i cili është i harmonizuar.
Nëse hapim numrin 20 të Gazetës Zyrtare që është publikuar më 2 shkurt të këtij viti, mund të shohim se me firmën e ministrit Minçev, të gjitha aktet nënligjore, që përfshijnë rregullore, procesverbale apo formularë, janë publikuar vetëm në maqedonisht. Kjo është në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektuese, i cili qartë obligon ministrin të zbatojë shqipen.
Megjithatë Minçev arsyetohet se në përditshmëri përdoret edhe Ligji për Gjuhët, ndërsa mospublikimin e arsyeton me nenin që i referohet komunikimit zyrtar të institucioneve.
“Në komunikimin e tyre zyrtar e përdorin gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, por edhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimin e saj, nëse së paku një prej funksionarëve të zgjedhur ose emëruar flet gjuhë zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja”, thonë nga Kabineti i Minçevit.
Por arsyetimi i Minçevit nuk mban, pasi publikimi i ligjeve apo akteve nënligjore në Gazetën Zyrtare rregullohet me nenin 17 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili obligon të botohen edhe në shqip.
Veç kësaj, ekziston edhe praktika. Po të njëjtat akte nënligjore që sot Minçev i publikon vetëm në maqedonisht, paraprakisht janë publikuar në dy gjuhë.
Dëshmi për këtë, është numri 153 i Gazetës Zyrtare i publikuar më 19 korrik 2023. Mund të shohim se ministri i atëhershëm Azir Aliu të gjitha dokumentet i ka publikuar në dy gjuhë.
Çrrënjosja e shqipes nga procedurat inspektuese, siç mëson Alsat i ka obliguar disa prej inspektorëve t’i përkthejnë vetë formularët, me qëllim që të bëjnë inspektimin edhe në shqip. Megjithatë, kjo krijon vështirësi dhe kërkon kompetencë gjuhësore, të cilën nuk e kanë të gjitha inspektoratet. Plotësisht mund të hapë dhe kontest për vlefshmërinë e vetë dokumentit të përkthyer, derisa nuk është publikuar në shqip në Gazetën Zyrtare. Mospërdorimi i shqipes në Gazetën Zyrtare, e zbehë fuqinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe në vend të nivelit zyrtar, e zbret në nivelin e gjuhës së përkthyer. Një formulim që shpesh mund ta hasim në fjalorin e funksionarëve të pushtetit.
“Gjuha shqipe nuk është zyrtare në vendin tonë, për arsye se është gjuhë e përkthyer shpeshherë, është gjuhë e 20%, ne jemi bërë numër demografik, nuk jemi faktor politik”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali në prill të vitit 2026.
(Inserte 11.12.2024 – Kronika Suad) Për shqipen edhe Minçev ka pikëpamjen e tij. Mund të përdoret, por vetëm me kërkesën.
“Kumtesat do t’i dërgojmë në gjuhën maqedonase, ai që do të kërkojë për nevojat e tyre do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”, ka deklaruar ministri Goran Minçev në dhjetor të vitit 2024.
E sa ka qenë nevoja, mund të shihet në ueb-faqen e ministrisë që udhëheqë Minçev. Gjatë muajit maj janë publikuar 9 komunikata në maqedonisht, 2 në anglisht dhe vetëm 1 në shqip. /Alsat.mk.


















