Ligji i ri për Arsimin e Lartë, Qamili: Kriteret janë të arritshme dhe nxisin hulumtimet shkencore

Ligji i ri për Arsimin e Lartë, Qamili: Kriteret janë të arritshme dhe nxisin hulumtimet shkencore

Gazetare: Melihate Rustemi

Profesoresha e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Ajtene Hajdari Qamili, vlerëson se ndryshimet në ligjin e ri për arsimin e lartë nuk duhen parë me frikë. Sipas saj, kërkesat për botime ndërkombëtare janë plotësisht të arritshme dhe të nevojshme për cilësinë e shkencës. Ajo sqaron se ndryshimet nuk janë drastike në krahasim me ligjin paraprak, por thjesht kërkojnë më shumë fokus te kërkimi shkencor, që sipas saj është detyrë e çdo akademiku. Ajo thekson se ligji do të shërbejë si nxitje për ata profesorë që pas marrjes së titullit më të lartë pushojnë së hulumtuari.

“Të gjithë ata të cilët janë regjistriar në këtë drejtim, që kanë përzgjedhur si profesion të jenë mësimdhënës apo profesor universitar duhet ta kenë parasysh që gjatë gjithë jetës së tyre duhet që të punojnë, të merren jo vetëm me mësimdhënie po edhe me hulumtime shkencore… Në shumë raste ndodhë që pasi e marrin thirrjen e fundit, kur bëhen profesor ordinar edhe bien në gjumë të thellë dhe nuk merren me hulumtime shkencore, merren vetëm me mësimdhënie dhe besoj që kjo do ti nxisë që të gjithë mësimdhënësit, edhe ata të cilë janë të atillë do të punojnë më së shumti dhe do të interesohen që të botojnë kumtesa apo studime me Scopus apo me impakt faktor,” deklaroi Ajtene Hajdari Qamili, profesoreshë universitare.

Lidhur me shqetësimet për shpenzimet e larta të botimeve në revista prestigjioze, profesoresha Qamili tha se kjo nuk është e pamundur duke marrë parasysh rritjen e pagave të profesorëve vitet e fundit. Përveç kësaj, ajo përmendi se ekzistojnë mekanizma mbështetës për këto qëllime.

“Gjithmonë ne mund të veçojmë edhe nga rroga jonë për të botuar punime në Scopus. Në anën tjetër, secili fakultet ka një buxhet të posaçëm që u jep mësimdhënësve për të marrë pjesë nëpër konferenca apo për botime që gjithashtu njërën mund ta paguaj vet e për tjetrën të marrë nga fakulteti. Ka edhe nga ministria e Kulturës dhe e Arsimit që jepen fonde të caktuara për botime të cilat I ke bërë jashtë dhe ti pastaj me atë flet pagesën që e ke paguar kumtesën dhe verifikohet që vërtet është paguar atëherë ministria ti dërgon mjetet. Nuk duhet të shihet kjo me kaq frikë, mendoj që duhet të merret më me qetësi dhe të shihen vetëm anët pozitive,” tha Ajtene Hajdari Qamili, profesoreshë universitare.

Sa i përket reduktimit të mundshëm të bashkëpunëtorëve të jashtëm, profesoresha Qamili vlerwson se bashkimi i drejtimeve mund të sjellë kushte më të mira për studentët dhe kuadro më kompetentë. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button