Ligji për shërbimet gjyqësore dhe shërbime të prokurorisë mori kritika të forta në Komisionin për sistem politik

Gazetare: Ajnur Bafqari

Parashtrim amendamentesh, hedhje poshtë të tyre, arsyetime, replika e kundër-replika. Kështu u zhvillua seanca e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, ku diskutua ligji për shërbime gjyqësore dhe shërbime të prokurorisë. Ndaj këtij ligji deputetët dorëzuan 105 amendamente dhe pothuajse të gjitha u hodhën poshtë, në përjashtim të disave që ishin për çështje teknike. Kritika më të ashpra kishte për përzierjen e ekzekutivit në gjyqësor, ku deputetët u thirrën edhe në debatin publik të sindikalistëve të administratës së gjykatës. Deputetët e opozitës vlerësuan se ky ligj bën regres të të drejtave të punëtorëve në gjyqësor.

“Me këtë ligj në vend që shërbimet gjyqësore të trajtohen si pjesë e pushtetit gjyqësor, sipas parimit kushtetues, ne kemi pjesën më të madhe të të punësuarve në gjykata që do të jenë nën kontrolle direkte nga pushteti ekzekutiv që paraqet një precedent të rrezikshëm, veçanërisht kur flasim se kemi partizim të madh në gjyqësor dhe prokurori”, tha Jovana Mojsoska, E majta.

Por ministri i Drejtësisë në cilësinë e propozuesit, hodhi poshtë pothuajse të gjitha amendamentet, me arsyetimin se nenet e tekstit janë të harmonizuara me ligje të tjera.

Amendamenti nuk pranohet, neni është harmonizuar me ligjin për shërbime administrative“, tha Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë

Arsyetime të tilla ngjallën reagime te opozita.

Tërë kohën do ta dëgjojmë arsyetimin e njëjtë, ‘nuk është harmonizuar me ligjin për shërbimet administrative’, ju zotëri ministër, a i dëgjuat shërbimet gjyqësore çfarë thonë, nuk duan të kenë status të shërbimeve administrative. Duan të kenë status të veçantë, të shërbimeve gjyqësore. Vetë të vendosin, të hiqen nga pushteti ekzekutiv. Ministri përveç sjelljes së ligjeve të mos ketë kompetenca të tjera. Domethënë a e keni parë se duan që të hiqet përzierja në gjyqësor, ajo është reformë, ne çfarë bëjmë, nuk bëjmë asgjë, përse ishte ai debat publik”, deklaroi Sonja Mirakovska, NDSP.

Në debatin e fundit publik rreth ligjit në Kuvend, asnjë vlerësim pozitiv nuk u tha për ligjin e ri për shërbim gjyqësor dhe shërbim të Prokurorisë, nga nëpunësit e gjykatave dhe prokurorive të vendit si dhe nga vetë gjykatësit dhe prokurorët. Për pjesëmarrësit në debatin rreth këtij ligji, assesi nuk ishte e pranueshme që nëpunësit në Gjyqësor të trajtohen si nëpunës administrativ sepse ky sistem vështirëson dhe pamundëson punën. Vërejtje kishte mbi mënyrën e përllogaritjes së pagës dhe mbi shfuqizimin e disa shtesave për punën e tyre. Prokurorë dhe gjykatës në debat, deklaruan se pushteti ekzekutiv kërkon të ushtrojë ndikimin e tij në punën e tyre./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button