Ligji i Shtetësisë mbetet i bllokuar, Zaev nuk përjashton tërheqjen e ligjit dhe rikthimin në Kuvend me yll evropian

Propozim-ligji i Shtetësisë mbetet në qorr sokak. Qeveria po shqyrton mundësinë e tërheqjes së propozimit aktual dhe dërgimin e tekstit të ri me yll të BE-së. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, ekspertët janë duke shqyrtuar direktivat me të cilat kryqëzohet propozimi, për të konstatuar nëse mund të procedohet me yll evropian.

Për momentin po analizojmë nëse Ligjin e Shtetësisë mund ta tërheqim si propozim dhe ta dorëzojmë me yllin e BE-së, derisa ky veprim është në përputhje me rregullativat dhe direktivat e duhura të BE-së. Nëse ka një mundësi të tillë, neve nuk na pengon edhe pse propozimi është i opozitës shqiptare, por bëhet fjalë për tekst të harmonizuar bashkërisht. Besoj se Kuvendi në njërën ose tjetrën mënyrë do të gjej zgjidhje për ta miratuar, pavarësisht bllokadave të bëra për arsye të panjohura. Akoma nuk mund ta kuptoj motivin e bllokadës – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë nga subjektet politike në Kuvend që të heqin dorë nga bllokada dhe të vazhdojë mbledhja e Komisionit parlamentar të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Propozimi i ligjit me yll të BE-së do të ishte mundësia e fundit që do ta shqyrtonin.

Jemi të bindur se me këtë ligj bëhet edhe harmonizimi i të drejtës Evropiane dhe mundësia që ligji të shqyrtohet me yll të BE-së nuk është e papranueshme. Vazhdojmë të insistojmë që ligji të shqyrtohet në komision dhe apelojmë te të gjitha subjektet politike në Kuvend që të jenë konstruktiv dhe tolerant në kalimin e këtij ligji – tha Syrija Rashidi, Deputet i ASH-së.

Kreu i Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Mile Talevski thotë se për thirrjen e mbledhjes pret konsensusin mes koordinatorëve të grupeve parlamentare, të cilët sipas tij duhet të merren vesh dhe garantojnë se nuk do të ketë pengesa dhe obstruksione gjatë shqyrtimit të amendamenteve.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button