Ligji për legalizimin e ndërtimeve ilegale kthehet në Kuvend

Pasi Presidenti Stevo Pendarovski nuk e dekretoi ligjin për legalizimin e objekteve të jashtëligjshme ai me automatizëm është kthyer në Kuvend.

“Në bazë të nenit 173 të Rregullores së Kuvendit dhe nenit 75 të Kushtetutës, Kryetari i Kuvendit, në afat kohor prej 30 ditësh nga dita e miratimit, e vendos ligjin në rishqyrtim”, thonë nga Kuvendi.

Bazuar në afatet e Rregullores, duhet të vendoset në rend dite në pjesën e parë të muajit qershor. Në fazën e leximit të tretë nuk ka debat në komisionin amë dhe në komisionin juridik-ligjvënës.

“Pas rishqyrtimit të ligjit, amendamente mund të paraqiten vetëm në lidhje me vërejtjet e Presidentit të Republikës”, parashikon Rregullorja.

Nga ana tjetër, Kushtetuta parashikon që “Kuvendi përsëri e shqyrton ligjin dhe nëse e miraton me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti është i detyruar ta firmosë atë”.

Presidenti ditë më parë e njoftoi kreun e Kuvendit Talat Xhaferi se nuk do ta dekretojë ligjin për legalizimin e objekteve të jashtëligjshme të miratuar nga Kuvendi më 11 maj sepse sipas tij është jokushtetues, favorizon personat që e kanë thyer ligjin përballë atyre që e respektojnë atë, amniston veprat kriminale, dëmton ambientin jetësor dhe padrejtësinë e shndërron në drejtësi./Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button