Ligji për mësimdhënësit vazhdon të jetë i bllokuar në komisionin parlamentar për arsim
Ligji për mësimdhënësit vazhdon të jetë i bllokuar në komisionin parlamentar për arsim
Gazetar: Adrian Kerimi
Pushteti dhe opozita thellojnë dallimet mbi propozim-Ligjin për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional, shkruan Alsat.
VMRO DPMNE-ja akuzon pushtetin se më këtë zgjidhje ligjore nuk rriten rrogat e mësimdhënësve, por politizohet arsimi i mesëm dhe fillor. Opozita maqedonase pretendon se me miratimin e këtij ligji, abrogohen mekanizmat kryesore për cilësi në arsim.
“Me këtë ligj nuk rriten pagat e mësimdhënësve. Siç kemi deklaruar edhe më herët, ky ligj ka për qëllim vetëm partizimin në arsim. Me këtë ligj, LSDM-ja dhe BDI-ja pretendojnë abrogimin e mekanizmit kryesorë për kualitet në arsim, siç është punësimi i mësimdhënësve pa stazh përgatitor”, tha Ivanka Vasilevska, Deputete e VMRO-DPMNE-së.
LSDM-ja thotë të kundërtën. Sipas tyre, obstruksionet e VMRO DPMNE-së kanë për qëllim bllokimin e rritjeve të pagave. Pushteti akuzon opozitën se për 8 muaj mbanë peng ligjin më të rëndësishëm për arsimin fillorë dhe të mesëm.
“I shohim se si bëjnë gjithçka që të mos rriten rrogat e mësimdhënësve dhe profesorëve në shkollat fillore dhe të mesme. Faktet janë të dukshme. Sado që VMRO-DPMNE-ja është e pandërgjegjshme dhe destruktive, LSDM-ja dhe shumica parlamentare nuk do t’i lejojnë që bllokadat e tyre të kenë sukses”, pohoi Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.
Opozita shqiptare vlerëson se teatri i dy partive të bllokut politik maqedonas ka për qëllim interesat politike të dyja palëve. Sipas tyre, nëse VMRO-ja dhe LSDM-ja janë për rritjen e rrogave të mësimdhënësve, atëherë do të pranonin amendamentin e tyre për rritje ekuivalente të pagave të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesional në arsim, pa përfshirë personat e zgjedhur dhe të emëruar.
Propozim-Ligji për mësimdhënësit për 8 muaj gjendet në procedurë parlamentare. Ndryshimet e propozuara nga pushtetit përfshinë abrogimin e stazhit përgatitor prej dy vitesh dhe vendimin e menjëhershëm të punësimit për afat të pacaktuar./ Alsat.mk








