Ligji për përfaqësim / Sali nuk i pranon amendamentet, reagon opozita

Gazetar: Zekirija Haxhiu

“Amandamenti nuk pranohet, faleminderit”.

Kështu zv.kryeministri Bekim Sali u përgjigj ndaj tre amendamenteve që u prezantuan nga deputetët e opozitës lidhur me propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Edhe pse deputetët i arsyetonin amendamentet se burojnë nga Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit, të njëjtit u refuzuan.

“Unë do të doja ta di cilat janë arsyet dhe cila është qasja e tij pse nuk pranohet ky amandament?…. E di Bekim se është për të qeshur për ty por nuk i ke parë shokët duke vdekur, nuk i ke parë njerëzit të plaguar, nuk i ke parë varrezat e dëshmorëve, nuk ke shkuar ti vizitosh familjet e dëshmorëve, nuk e di se çka është përgjegjësia e këtyre familjeve”, reagoi Rijad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët.

“Shkoj ligji në Venedik dhe u kthye, unë nuk munda ta shoh ligjin. A mendoni se zonja Imërlije është më shqiptare se unë që jam shqiptar? Pse be me mua e keni frontin, nuk e kuptoj pse nuk zihemi mes vete? Pse bre nuk përlahesh me Prenxhën? Pse nuk kapesh me Micevskin por kapesh me neve të cilët themi futeni një amendament, asgjë nuk ju pengon ta fusni në ligj”, tha Ilir Hasani nga Fronti Evropian.

“Vendi në të cilin ka mundësi që të vërtetohet përkatësia etnike e gjithsecilit, e shprehur lirshëm, pa qëllime manipulative, është dita e regjistrimit dhe jo dita kur hapet konkursi dhe jo telefonata e kryetarit të degës ose anëtarit të kryesisë qendrore, partia që përket, për të manipuluar identitetin tënd për të zënë një vend pune”, tha Ziadin Sela nga Lidhja Shqiptare.

Për deputetët e VLENit, amendamentet nuk janë të mira dhe nuk e përmirësojnë ligjin.

“Fatkeqësisht mund të them se të gjitha amendamentet të cilat i keni propozuar nuk i keni propozuar për të gjetur zgjidhje ose për të ofruar diçka më të mirë për ligjin por vetëm e keni përpiluar në atë mënyrë që pastaj ligji të mund të bllokohet sepse ky është qëllimi juaj”, theksoi Imërlije Saliu nga VLEN.

Gjithsej janë propozuar 31 amendamente ndërsa sot arritën të shqyrtohen vetëm tre. Vërejtjet e opozitës janë mungesa e sanksioneve dhe mungesa e kuotave etnike gjatë aplikimit pë punë. E derisa dikush debatonte, deputeti Musa Xhaferi harxhonte kohën me lojëra në telefon…../Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button