Qeveria dhe marketet në kërkim të zgjidhjeve për rritjen e çmimeve

Gazetar: Angel Dimovski

Qeveria dhe zinxhirët e marketeve kanë rënë dakord që norma vjetore e rritjes së çmimeve të ushqimeve bazë në korrik të mbetet nën 3 për qind. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se në periudhën e ardhshme do të zhvillohen takime shtesë me prodhuesit, distributorët dhe furnizuesit, me qëllim koordinimin e masave dhe stabilizimin e çmimeve të ushqimeve.

“Një nga synimet është që në korrik shkalla vjetore e ndryshimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë të mos kalojë tre për qind, domethënë duhet të jetë nën tre për qind. Ne të gjithë ramë dakord. Sigurisht, që kjo të realizohet, duhet të mbajmë një takim të tillë me prodhuesit, shpërndarësit dhe furnizuesit. Kjo do të ndodhë në periudhën e ardhshme, dhe pastaj të gjithë do të ulemi në tryezë së bashku”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ndërkohë mësohet se marketet kanë shprehur gatishmëri për të shqyrtuar përllogaritjet e tyre të çmimeve dhe të ulën marzhat.

“Ne jemi hallka e fundit në zinxhir dhe nuk jemi të vetmit që ndikojmë në formimin e çmimeve. Presim që kontrollet të tregojnë se ku në zinxhir krijohen kosto shtesë dhe nëse ka faktorë të tjerë që kontribuojnë në rritjen e çmimeve. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë lëvizjet e tregut dhe të bashkëpunojmë në interes të konsumatorëve”, thanë nga Rrjeti i Supermarketeve.

• Ne jemi hallka e fundit në zinxhir
• Presim që kontrollet të tregojnë se ku krijohen kosto shtesë

Për të parë se çfarë po i mban çmimet të larta, inspektorët e Tregut kanë dalë në terren. Këtë javë do të inspektohen tregjet ndërsa javën tjetër do të inspektohen importuesit dhe distributorët, me qëllim përcaktimin e nivelit të marzheve dhe lëvizjeve të çmimeve.

“Po kryejmë një analizë krahasuese të çmimeve të të njëjtit produkt nga i njëjti artikull i furnizuesve dhe çmimeve të tregjeve për të njëjtin produkt për konsumatorët, pra qytetarët, dhe me të cilat aktualisht po arrihen marzhe fitimi bruto nga importuesit, shpërndarësit dhe prodhuesit. Analiza do të jetë për muajin maj 2025, krahasuar me muajin maj 2026”, theksuan nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

• Analizë krahasuese të çmimeve

Një ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski tha se supermarketet duhet të ulin menjëherë çmimet e produkteve ushqimore bazë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button