Fondi Pensional gjithnjë e më i varur nga buxheti i shtetit
Gazetar: Angel Dimovski
Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore nuk mund të paguajë pensione pa ndihmën e shtetit dhe aktualisht 1.6 punëtorë “ushqejnë” një pensionist. Raporti i fundit i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2024 zbulon se në fund të vitit, ishin të regjistruar 556,294 persona të siguruar dhe 343,048 pensionistë. Edhe përkundër rritjes së të ardhurave, ato nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet për pensione.
“Revizorët përcaktuan se të ardhurat nga kontributi i mbledhur në vitin 2024 janë rritur për 14 për qind në krahasim me vitin paraprak dhe kanë arritur në mbi 71 milionë denarë, me një pjesëmarrje prej mbi 61 për qind në totalin e të ardhurave të gjeneruara. Rritja e arritur ende nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për pensione, të cilat gjithashtu rriten çdo vit dhe në vitin 2024 arrijnë në mbi 90 milionë denarë”, thonë nga Enti i Revizionit.
• Të ardhurat janë rritur për 14 për qind
• Rritja nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për pensione
Këto të dhëna të revizionit tregojnë se se përqindja e fondeve të alokuara nga Buxheti i Shtetit ka qenë në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2024, pjesa e fondeve të transferuara nga Buxheti i Shtetit është 36.71 për qind, që përbën rritje prej 4.14 për qind krahasuar me vitin 2023.
“Bazuar në të dhënat nga regjistri i Fondit që nga dhjetori 2024, numri i personave të siguruar është 556,294, ndërsa numri i pensionistëve është 343,048 persona, pra raporti pensionistë-persona të siguruar në fund të vitit 2024 është ulur krahasuar me vitin 2023”, theksuan nga Enti i Revizionit.
• Raporti pensionistë-persona të siguruar në 2024 është ulur krahasuar me vitin 2023
Detyrimet e papaguara për periudhën nga qershori 2025 deri në janar 2026 arrijnë në 8.4 miliardë denarë ose rreth 136 milionë euro. Revizorët paralajmërojnë se megjithëse pensionistët po i përdorin shërbimet shëndetësore pa probleme, kjo situatë po krijon presion serioz mbi likuiditetin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore./Alsat.mk.








