Ligji për vetëqeverisje lokale, në Kuvend

Ligji për vetëqeverisje lokale, në Kuvend

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ligji për vetëqeverisje lokale, që do të duhej të zgjidhte problemin me komunat të cilat kanë mbetur pa kryetar dhe drejtohen nga ushtrues detyre, kaloi hapin e parë në Kuvend megjithatë mbështetja e deritanishme nuk garanton miratimin e tij. Nevojën për ndryshimin e ligjit e votuan 69 deputetë kurse 17 ishin kundër. Këto numra sugjerojnë se akoma nuk është siguruar 2/3 e votave për miratimin përfundimtar i ligjit dhe nuk është siguruar shumica e Badenterit.

Shumica, që është propozues i ligjit, thonë se ligji aktual parashikon organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Aerodrom, Saraj dhe Gostivar në fillim të vitit të ardhshëm dhe përsëri zgjedhje të rregullta në tetor të vitit të ardhshëm.

“Këtu janë ndryshimet në ligjin për vetëqeverisje lokale të cilat duhet të mundësojnë që të mos ketë zgjedhje për kryetar komune nëse deri në zgjedhjet e rregullta ka më pak se 12 muaj. Duhet të potencoj se bëhet fjalë për zgjidhje të përkohshme që do të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që duhet të mbahen në tetor të vitit 2025. Duke pasur parasysh se deri në shpalljen e zgjedhjeve të rregullta lokale ka më pak se 12 muaj, duke u nisur nga parimi ekonomik dhe i gjendjes ekonomike të vendit si dhe nga afati i shkurtër për organizimin e zgjedhjeve, propozimi është për ta arritur qëllimin që të mos ketë ndryshim të ushtruesve të detyrës kryetar dhe të mbeten edhe 12 muajt e ardhshëm deri në zgjedhjet e rregullta”, deklaroi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja u deklarua kundër. Thonë se dëmtohen parimet demokratike dhe kushtetuese.

“Jemi kundër kësaj zgjidhje ligjore sepse vlerësojmë se në këtë mënyrë dëmtohen parimet demokratike të funksionimit dhe të ndarjes së pushtetit. Gjithashtu miratimi i këtij ligji është në kundërshtim me parimet kushtetuese sipas të cilave vendimet i sjellin qytetarët për pushtetin lokal po ashtu edhe për pushtetin qendror. Miratimi i kësaj zgjidhje ligjore ku pa vendim të qytetarëve do të mund të ndryshojmë kryetarët e komunave, nënkupton se merret e drejta e qytetarëve dhe manipulohet me vullnetin e tyre”, tha Oliver Spasovski, LSDM.

Vendimtare do të jetë mbështetja e Frontit Evropian. Nga ky grup parlamentar sot nuk pranuan të prononcohen. Megjithatë, deputetë të caktuar nga BDI-ja nuk mohojnë që mund ta mbështesin ligjin. Por, jo të gjithë deputetët e Frontit janë dakord për të.

Aerodromi, Gostivari dhe Saraji drejtohen nga ushtrues detyre, pasi ish krerët e tyre morën funksione të tjera, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button