Lionel Mesi mbyll kapitullin evropian, për të shkruar historinë në Majami
Lionel Mesi nuk do të kthehet më në futbollin evropian. Legjenda argjentinase ka vendosur që pjesën e mbetur të karrierës së tij të lavdishme ta kalojë në Shtetet e Bashkuara, duke konfirmuar se Inter Majami do të jetë stacioni i tij i fundit në fushën e blertë.
Argjentinasi është shprehur tejet i kënaqur me kushtet e jetesës dhe qetësinë që ai dhe familja e tij kanë gjetur në Florida. Ky komunitet dhe standardi i lartë i jetesës kanë bërë që Lionel Mesi të mos planifikojë asnjë lëvizje tjetër deri në përfundimin e karrierës së tij të pasur, e cila nisi që në vitin 2003.
“Inter Majami do të jetë klubi im i fundit. E shijoj çdo ditë këtu dhe nuk e shoh veten duke u kthyer më në Evropë,” tha mes tjerash Lionel Messi.
Që prej vitit 2023, Mesi është bërë figura qendrore e Inter Majami-t dhe e të gjithë lëvizjes së futbollit në SHBA. Përpara kësaj aventure amerikane, rrugëtimi i tij kaloi nëpër tre faza kryesore:
Barcelona (2004–2021): Vitet e arta ku ai fitoi gjithçka dhe u shndërrua në lojtarin më të mirë në botë.
PSZH (2021–2023): Dy sezone në Paris ku shtoi trofe të tjerë në koleksionin e tij.
Inter Miami (2023–Sot): Kapitulli final, ku ai po shijon futbollin pa presionin ekstrem të Evropës.








