Lionel Mesi: Nuk isha i përgatitur për t’u larguar nga Barcelona

Lionel Messi ka pranuar se iu desh të “rindërtonte jetën e tij” pas largimit tronditës nga Barcelona në vitin 2021. Gjithashtu ka nënvizuar vështirësitë e tij te PSZH.  Largimi i Mesit nga Barcelona në vitin 2021 shkaktoi valë tronditëse në mbarë botën e futbollit, pasi sulmuesi argjentinas u nda me klubin, të cilit i ishte bashkuar në moshën 13-vjeçare. Superylli pati një lamtumirë me lot në sy, gjatë asaj konference shtypi të organizuar me nxitim, dhe më pas u nis për në Ligue 1, PSZH, ku fillimisht luftoi për t’u përshtatur në kryeqytetin francez.

“Ndryshimi ishte i vështirë kur shkova te PSZH, sepse po bëja shumë mirë në Barcelonë dhe kisha planifikuar të qëndroja atje. Nuk isha i përgatitur të largohesha, gjithçka ndodhi shumë shpejt, më duhej ta rindërtoja jetën nga një ditë në tjetrën. Njoha një ligë tjetër, një klub tjetër, një dhomë të re zhveshjeje. Ishte një ndryshim që nuk e kërkoja, prandaj ishte e vështirë në fillim”.

 

Argjentinasi shtoi për karrierën e tij të shkëlqyer në “Camp Nou”, pasi u largua nga vendlindja për të ndjekur ëndrrën e vet në Evropë, në fillim të adoleshencës.

 

“Për mua ishte e vështirë kur mbërrita në Barcelonë. Isha fëmijë dhe më duhej të përshtatesha me miq të rinj, vend të ri, qytet të ri, njerëz të rinj, shkollë të re. Ishte e vështirë në fillim, por mendova se po bëja atë që doja, duke luajtur futboll, në një ekip të madh si Barcelona dhe kjo më bëri të aftë të ecja përpara. Gjithçka ishte mbresëlënëse, më ka pëlqyer shumë. Gjithmonë më kanë trajtuar shumë mirë në Barcelonë, iu jam të gjithëve mirënjohës”.

 

Messi ka një kontratë me Inter Miami deri në fund të sezonit 2025, kur do të jetë 38 vjeç. Nuk është e qartë se sa do të vazhdojë të luajë ikona e Argjentinës, por ka folur më parë për dëshirën e tij për t’u rikthyer në Barcelonë, tashmë në ndonjë rol drejtuesi, jo më si futbollist.

LEXO EDHE:

Back to top button