Osmani: Kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm që ta kemi përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Osmani: Kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm që ta kemi përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Në Komitetin për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës, sot pritet të votohet raporti për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka thënë për media, se Kosova ka bërë gjithçka që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme në mënyrë që shtetet dhe deputetët ta përkrahin këtë anëtarësim.

“Raporti tashmë është pozitiv, përmbajta e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit Evropian me të drejta të barabarta sikurse të gjithë anëtarët e tjerë. Ajo çfarë do të ndodhë sot është procedurë, është një mbledhje e jashtëzakonshme e komitetit, e cila është ftuar në mënyrë që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për PACE Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës… Kosova ka bërë çfarëdo që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në mënyrë që shtetet dhe deputetët ta përkrahin këtë anëtarësim”, ka thënë Osmani.
Duke pritur rezultatin me shpresë, Osmani ka shtuar se kjo është kauzë jo vetëm e shtetit por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët mbesin të vetmit evropianë pa qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Në çoftë se sot gjithçka kalon me sukses, atëherë në mes të prillit do të jetë mbledhja e gjithë asamblesë parlamentare e Këshillit të Evropës, ku edhe në çoftë se i marrim votat e nevojshme, aty rekomandohet anëtarësimi dhe ky rekomandim kalon prapë në komitetin e ministrave për mbledhjen e muajit maj të këtij viti, dhe aty vendoset pastaj për anëtarësimin përfundimtarë …E presim sot rezultatin me shpresë që do të mbështetet kjo kauzë e qytetarëve të Kosovës. Nuk është vetëm kauzë e shtetit, në kontekstin abstrakt është kauzë e qytetarëve të Kosovës, të cilët mbesin të vetmit evropian pa qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka shtuar ajo.

Ajo ka komentuar edhe letrën që ajo së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufa dhe kryeministrin, Albin Kurti i kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, e ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicw serbe.

“Interpretimet që i jep zonja Bakojanis apo interpretimet që i japin deputetë individual janë interpretimet e tyre. Mirëpo në qoftë se lexoni letrën e saj në veçanti paragrafi 11 i raportit e qartësinë që kur flitet për asociacioni flitet si një prej detyrimeve pos anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit. Mos të harrojmë që për themelimin e Asociacionit është dhënë përkushtimi i plotë në vitin 2013 nëpërmjet ratifikimit por ky është përsëritur në marrëveshjen bazike të 27 shkurtit 2023. Pra ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i marrëveshjes bazike të viti 2023. Ajo çka është më rëndësi që ka qenë edhe kërkesë e imja në letrën që e kemi dërguar të e ka përfshirë një pjesë ku kërkohet që çdo detyrim i Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën Kushtetuese, ligjet e Kosovës me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kjo është korniza jonë dhe nuk dalim kurrsesi jashtë saj”, tha ajo.

Sot nga ora 14:00, do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE, teksa në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Inkuadrimi i Kosovës në këtë trup është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

LEXO EDHE:

Back to top button