Skuadra e Liverpullit triumfoi 2-0 përballë Arsenalit në ndeshjen e mbetur të Premier League-s, duke e ngushtuar në vetëm një pikë diferencën me Man. Sitin. Tashmë gara për titullin kampion është më e hapur se kurrë dhe sfida e drejtpërdrejtë, më 10 prill, pas pauzës për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, mund të vendosë shumë në Premier Ligën e Anglisë.
Sfida ishte e barabarta dhe me raste në të dyja portat deri në momentin kur “The Reds” zhbllokuan rezultatin në minutën e 55-të me Diogo Zhota-n, që e kapi të papërgatitur portierin Ramsdale. Golin e dytë për ekipin e Jurgen Kloppit e shënoi Firminjo në minutën e 62-të, i shërbyer nga Robertson.
Arsenali bëri gjithçka për të shmangur humbjen, por e pati të pamundur për të çarë mbrojtjen e Liverpulit dhe portierin Alison.








