Llokvenec tregon se cila është dinamika për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë
Seksioni hekurudhor drejt Republikës së Bullgarisë është i ndarë në tre faza, dy të parat janë tashmë në procedurë tenderimi dhe e treta është në fazën e përgatitjes së dokumentacionit të tenderit, është shprehur në emisionin “Magazina ekonomike” në Alsat, drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë– Infrastrukturë, Hari Llokvenec. I pyetur për dinamikën e ndërtimit të hekurudhës, Llokvenec ka thënë:
“Kohëzgjatja e parashikuar, nga projektuesit, është dy vjet në fazën e parë, ndërsa tre vjet në të dytën. Ne fillojmë në vitin 2022, fundi i vitit 2023 duhet të jetë fundi i fazës së parë, 31 kilometrat e para deri në Bellakovcë dhe gjatë vitit 2024 duhet të përfundojë faza e dytë, 34 kilometrat e dyta dhe të arrijmë në Kriva Pallankë”, ka thënë Llokvenec.








