Lojë fjalësh në BDI për koalicionin në Qytetin e Shkupit

Lojë fjalësh në BDI për koalicionin në Qytetin e Shkupit

Gazetare: Evi Shkopi

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, pranon së BDI-ja është në koalicion me kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, madje duke mos fshehur ambicien për të marrë më shumë poste drejtuese në kryeqytet.

“Po normal ne nuk e kemi kufizuar bashkëpunimin, ne kemi hyrë në këtë mandate, të bashkëpunojmë. Do të ulemi së bashku me kryetarin e Sarajit, me kryetaren e Qytetit të Shkupit edhe normal atje ku mendojmë që do të kemi kapacitet kadrovike të kërkojmë edhe vende të tjera”, tha Visar Ganiu, Kryetar i Çairit.

BDI-ja pranoi menjëherë të marrë nga kulaçi që Arsovska i ofroi pas prishjes së koalicionit me VMRO-në dhe Aleancën për Shqiptarët.

“Ne kemi pasur edhe më herët  edhe kur kemi qenë oponent klasik”, u shpreh Visar Ganiu- kryetar i Komunës së Çairit.

Gazetarja: Raporte të mira dhe koalicionim janë dy gjëra të ndryshme. A keni koalicion?

Visar Ganiu- kryetar i Komunës së Çairit: Me zonjë Arsovska, po. Kuptohet që edhe kryetari i partisë një gjë të tillë e ka ditur.

Por Arsovska me të cilën Ganiu thotë se është në koalicion, gjithashtu ka koalicion edhe me Levicën e Apasievit. Nga Qyteti i Shkupit thonë se emërimi i drejtorëve nga radhët e BDI-së nuk nënkupton koalicion.

“Të gjithë drejtorët ekzekutiv emërohen nga kryetari i qytetit të Shkupit në përputhje me kompetencat që dalin nga ligji, nuk ka koalicione”, thonw nga Qyteti i Shkupit.

E për këtë opinionisti Arsim Sinani në emisionin “Rruga Drejt” tha se BDI-ja në Qytetin e Shkupit hyri në koalicion pa asnjë parim.

“Të gjithë flasin për Levicën dhe të gjithë bashkëpunojnë me Levicën. Përfshirë edhe BDI-në që tani është në koalicion  në komunë të Shkupit, nëse nuk gaboj, me Levicën, e në anën tjetër akuzojnë opozitën për këtë. Dëgjoni, këto kalkulime, dalja e Aleancës, për cilat arsye doli, të themi doli për disa arsye parimore. Por në anën tjetër, dalja parimore, futja pa parime e BDI-së, se BDI-ja i ka prish parimet. BDI-ja do të ishte më e ndershme sikur të kishte provokuar zgjedhje në kuadër të Qytetit të Shkupit, ti matim forcat, ta shohim ku jemi. Por BDI-ja gjithmonë luan, me një pjesë janë në opozitë, një pjesë janë andej”, tha Arsim Sinani- analist.

Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska për drejtor të ndërmarrjes “Parqet dhe Gjelbërimet “ka emëruar Zuhejr Rexhepin nga Saraji ndërsa Said Saidin nga komuna e Çairit për drejtor në “Rrugë dhe rrugica”.

Së fundmi për drejtor të Shkollës së Mesme ekonomike “Arseni Jovkov”, Arsovska caktoi gjithashtu një kuadër të BDI-së./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button