Vala e të nxehtit vazhdon, temperaturat deri në 40 gradë, ISHP me rekomandime për qytetarët
Gazetare: Melihate Rustemi
Vala e të nxehtit që tashmë ka përfshirë vendin pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Për shkak të temperaturave të larta deri në 40 gradë, kryeqyteti ndodhet në fazën portokalli të rrezikut nga vala e të nxehtit. Meteorologët vlerësojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri më 8 ose 9 gusht, kur pritet dobësimi gradual i masës së nxehtë ajrore mbi Ballkan dhe depërtimi i një lugine atmosferike nga Evropa Qendrore.
“Kjo rënie fillimisht do të ndihet në pjesët perëndimore dhe veriore të vendit, e më pas edhe në pjesën tjetër të territorit. Është e rëndësishme të theksohet se, edhe pas këtij freskimi të pritshëm, temperaturat do të mbeten relativisht të larta për këtë periudhë të vitit, por nuk do të arrijnë më vlerat ekstreme që karakterizojnë valën aktuale të të nxehtit, për shpallje të fazës portokalli ose të verdhë. Gjatë këtyre ditëve priten temperatura të ngjashme me ditën e sotme, 38, 39 ose 40 gradë por jo mbi 40 gradë celsiuz”, tha Marija Cvetkovska Atanasova nga Enti Hidrometeorologjik.
Për shkak të temperaturave të larta, Instituti i Shëndetit Publik ka përsëritur rekomandimet që qytetarët të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00.
“Qytetarët këshillohen të konsumojnë më shumë lëngje, kryesisht ujë, të veshin rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të shmangin aktivitetet e rënda fizike gjatë temperaturave të larta”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik
Sipas këshillave të Institutit, kujdes i veçantë rekomandohet për personat mbi 60 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe personat që punojnë në ambiente të hapura. Instituti i Shëndetit Publik apelon që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe në rast të shfaqjes së simptomave si dobësi, marramendje, dhimbje koke, temperaturë e lartë trupore ose humbje të vetëdijes, të kërkojnë ndihmë mjekësore./Alsat.mk.








