LSDM-ja e gatshme të shtyjë hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese

LSDM-ja e gatshme të shtyjë hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese

Gazetare: Fatlume Dervishi

LSDM-ja është e gatshme të pranojë shtyrjen e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese por jo më larg se deri në mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare në fund të vitit. Ky është opsioni që ata i ofrojnë VMRO-DPMNE-së pasi kjo e fundit kishte propozuar disa opsione si kusht për të votuar ndryshimet kushtetuese. Këtë qëndrim kreu i partisë në pushtet e bëri të ditur në intervistë për 360 gradë në Alsat.

“Ndryshimet kushtetuese hynë në fuqi në momentin e mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare. Kjo është në kuadër të kornizës negociuese ose në grupin e dokumenteve. Gjithçka jashtë kësaj është shkelje e kornizës negociuese të cilën ne e kemi marrë nga BE-ja pas 17 vjet pritje. Unë mendoj se tani është momenti të bashkohemi krah për krah ta sjellim këtë vendim”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Por, kreu i opozitës thotë se ndryshimet kushtetuese, si formë garance për të mos patur kushtëzime të tjera për identitetin gjatë procesin të negociatave me BE-në, duhet të hynë në fuqi pasi anëtarësimit të plotë në BE.

“Nëse e shikojmë kornizën negociuese do të shohim se atje askund në mënyrë eksplicite nuk thuhet se duhet ta ndryshojmë Kushtetutën. Nëse Këshilli i BE-së ka qëllim të mirë dhe të ndershëm ndaj Maqedonisë mund të interpretohet se Maqedonia e ka përfunduar detyrimin e saj, është bërë votimi por ata nuk do të jenë të plotfuqishme deri sa Maqedonia nuk do të bëhet pjesë e BE-së. nëse ata vërtetë duan ta shohin Maqedoninë në BE ky është një formalitet i thjeshtë për të cilin ne luftojmë dhe vlerësojmë se nëse na duan atje, këtë do ta bëjnë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

E deri sa të dy partitë më të mëdha maqedonase janë të gatshme të vazhdojnë debatin për këtë çështje, mbetet pezull ajo e rolit të BDI-së dhe e kryeministrit të parë shqiptar. Mickoski kërkon një qeveri të zgjeruar pa BDI-në ku nuk do të vlejë më marrëveshja për kryeministrin e parë shqiptar.

Partia e Ahmetit nga ana tjetër konfirmon se është e gatshme të tërhiqet nga pushteti por dhe të mbështesë një qeveri të zgjeruar për ndryshimet kushtetuese e cila do të formohej pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve kushtetuese. Arbër Ademi sqaron për Alsat se formimi eventual i një qeverie të zgjeruar pa BDI-në për ndryshimet kushtetuese nuk e pengon zbatimin e marrëveshjes për formimin e qeverisë teknike ose qeverisë sipas modelit të Përzhinës e cila do të formohej 100 ditë para zgjedhjeve të ardhshme me kryeministër shqiptar.
Kjo praktikisht do të nënkuptonte dy përbërje të ndryshme qeveritare para zgjedhjeve të ardhshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button