LSDM-ja kritikon vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e përkohshme Klinikës për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv

LSDM-ja kritikon vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e përkohshme Klinikës për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv

Gazetar: Avni Tahiri

Pas vizitës së djeshme të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, në Klinikën Universitare për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv me Kujdes të Lartë, lidhur me aktivitetet përgatitore dhe fazës përfundimtare për fillimin e një rekonstruksioni tërësor të hapësirave të KARIL-it, reaguan nga LSDM-ja opozitare, duke akuzuar, Ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, dhe VMRO DPMNE -në se me rinovimin e kësaj klinike, rrezikojnë jetën e pacientëve duke mos pasur asnjë njoftim për alternativa tjera.

“Ky vendim skandaloz ngre shqetësime serioze, pasi spitaleve u mungojnë njësitë e kujdesit intensiv dhe burimet e mjaftueshme për të trajtuar pacientët kërcënues për jetën. Dhe nuk ka asnjë njoftim për alternativë apo se kur do të përfundojë ky kalvar i tyre. Pse qeveria nuk ka ofruar alternativa adekuate për këta pacientë? Pse nuk u bë një plan ku ata do të kujdeseshin me trajtimin e duhur? Ministër Taravari, betimi i Hipokratit nuk është thjesht një teori, ju drejtoni një sektor nga i cili varen jetët, jo interesat e biznesit. Qytetarët paguajnë çmimin e paaftësisë suaj. Është gjithashtu e papranueshme të luash me jetë”, tha Simona Cvetanoski – Anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pacientet do të marrin shërbime në klinika tjera derisa të përfundojë rinovimi i kësaj klinike.

“Sipas planit të hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, një pjesë e pacientëve do të transferohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, Klinikën e Kirurgjisë “Shën Naum i Ohrit” dhe Klinikën e Neurokirurgjisë. Këto institucione shëndetësore do të pranojnë një numër të caktuar pacientësh, bazuar në marrëveshjen e përbashkët me institucionet shëndetësore publike”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ky investim, sipas Ministrisë së Shëndetësisë është i një rëndësie kombëtare dhe se për herë të parë që nga themelimi i Qendrës Klinike po ndërmerret një rikonstruksion i plotë i KARIL-it./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button