LSDM-ja protestoi para Ministrisë së Arsimit për mos-rritjen e pagave të mësimdhënësve
LSDM-ja protestoi para Ministrisë së Arsimit për mos-rritjen e pagave të mësimdhënësve.
Gazetare: Ajnur Bafqari
Në prag të vitit të ri shkollor, LSDM-ja opozitare protestoi para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke kërkuar rritje të pagave për mësimdhënësit. Kreu i kësaj partie, Venko Filipçe, tha se refuzimi për rritje të pagave këtë vit, është poshtërues për mësimdhënësit. Ai nënvizoi se është vetëm arsyetim se në buxhet nuk ka para.
“Arsyetimet se nuk ka para në buxhet janë vërtetë të pa pranueshme. Nëse LSDM do të ishte në pushtet do të kishte para edhe për rritje të pagave edhe për respektim të të gjitha marrëveshjet kolektive. Askush nuk beson se nuk ka të holla për rritje të pagave të mësimdhënësve për 12 për qind. E shohim se ka para për 4 ministri të reja, për punësime partiake. Buxheti ka para por pagat për fat të keq, nuk janë prioritet”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Por VMRO-DPMNE vlerëson se pikërisht LSDM-ja ka qenë partia që deri para dy muajsh i ka degraduar mësimdhënësit. Sipas kësaj partie kjo është arsyeja përse ka dështuar protesta e sotme e opozitës.
“Fakt dhe realitet është se LSD ishte në pushtet deri para dy muajsh, ata I kishin të gjitha mundësitë që t’i rrisin pagat e mësimdhënësve dhe këtë nuk e kanë bërë. Mësimdhënësit e dinë se përfaqësuesit e LSD-së janë hipokritë. Kuadri mësimorë nuk ngeci në politikbërjen e LSD-së. Kur LSD ishte në pushtet, pagat vonoheshin, bënë kaos me programet dhe i degraduan mësimdhënësit. E gjithë kjo është ndryshe, VMRO-DPMNE e kthen dinjitetin e kuadrit mësimorë, ndërsa pagat do të rriten nga muaji mars i vitit 2025”, u shpreh Sergej Popov, VMRO-DPMNE .
Protesta e sotme e LSDM-së nuk gjeti mbështetjen e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, e cila ditë më parë bëri thirrje për mospolitizimin e arsimit./Alsat.mk