LSDM-ja voton për kryetarin e ri

LSDM-ja voton për kryetarin e ri

Gazetare: Fatlume Dervishi

Socialdemokratët votojnë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të partisë. Votimi në organizatat komunale të LSDM-së për mbi 23 mijë anëtarët e LSDM-së me të drejtë vote, do të jetë i hapur deri në ora 20, kurse shumë shpejt pas asaj, fillon numërimi i votave dhe pritet të dihet edhe fituesi.
Procesi vazhdon edhe pse ditëve të fundit u hodhën dyshime mbi legjitimitetin e tij. Kandidati për kryetar, ish ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se dyshimet u hodhën poshtë si të pabaza.

“Sipas informatave, në gjithë vendin, procesi është i qetë dhe ka një frymë pozitive mes miqve që dalin në votime. në ditët e kaluara në opinion dolën disa dyshime rreth legjitimitetit të procedurës. Për realizimin e procedurës është përgjegjës Komisionin Qendror Zgjedhjet që i analizoi të gjitha vërejtjet dhe na ka njoftuar të gjithë kandidatëve se të gjitha dyshimet janë të pabaza dhe se gjithë procesi është legjitim”, tha Venko Filipçe, kandidat për kryetar.

Por dyshimet rreth procesit nuk i hedhin poshtë dy kandidatët e tjerë në garë, Jovan Despotovski dhe Aleksandar Bajdevski. Drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, Despotovski, thotë se shumë anëtarëve u është mohuar e drejta e votës.

“Pres që deri në fund të ditës të respektohet parimi i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike dhe që anëtarët sot do të zgjedhin një fillim të ri i cili duhet të nisë që nesër. Ajo që më shqetëson rreth zgjedhjeve janë informacionet që një numër i madh i anëtarëve tanë nuk u është mundësuar të votojnë edhe pse kanë plotësuar kushtet e nevojshme”, u shpreh Jovan Despotovski, kandidat për kryetar.

Kandidati tjetër, zv/ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Bajdevski, thotë se duhet të locohet përgjegjësia për shkeljen eventuale të statutit.

“Ajo që pres në periudhën e ardhshme është konsolidim i shpejtë i LSDM-së, kthim në vlerat e saja. Të mos harrojmë se kundërshtari kryesor i LSDM-së është VMRO-DPMNE-ja dhe gjithë energjia në periudhën e ardhshme duhet të drejtohet atje. Duhet të dorëzohen ankesa adekuate në organet e partisë. Unë do ta bëj këtë, veçanërisht për bazën dhe keqpërdorimin e të dhënave të anëtarëve dhe shpresoj se do të sillen vendime adekuate dhe do të locohet përgjegjësia te ai që e ka shkelur statutin këtë periudhë”, tha Aleksandar Bajdevski, kandidat për kryetar.

Tre të lartpërmendurit nuk ishin kandidatët e vetëm në garë për të parin e socialdemokratëve. Ish ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska u tërhoq zyrtarisht nga gara një ditë më parë, pasi hodhi dyshime për garë të padrejtë, për keqpërdorim të të dhënave të anëtarëve dhe të listës së votuesve.

Për të zgjedhur kreun e partisë, njëri prej kandidatëve duhet të marrë 50% plus 1 votë. Ndryshe, do të ketë një raund të dytë mes dy kandidatëve me më shumë vota. Kryetari i ri do të ketë mandat vetëm deri në mars, sepse LSDM-ja nuk arriti të sigurojë kuorum për mbajtjen e kongresit për ndryshimin e statutit, që do t’i siguronte një mandat të plotë kryetarit të ardhshëm./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button